Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës që përjetojnë kryesisht nga partnerët e tyre. Kjo dukuri shqetësuese ka marrë përmasa të mëdha kohëve të fundit dhe kjo po dëshmohet çdo ditë me numrin e këtyre ngjarjeve që denoncohen në Polici.

Një rast i tillë është raportuar së fundmi nga një 27-vjeçare në Prishtinë, e cila e ka denoncuar personin me të cilin ka qenë në lidhje dashurie për një kohë.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se viktima ka deklaruar se është rrahur teksa ka qenë në një restorant në Prishtinë, ku i dyshuari shkoi dhe e sulmoi fizikisht – për motive akoma të panjohura.

Përballë kësaj situate, e njëjta ka kërkuar ndihmën e Policisë dhe ka marrë trajtim mjekësor si pasojë e lëndimeve që ka pësuar nga goditjet.

Si rezultat i denoncimit, Policia është aktivizuar dhe ka arritur ta arrestojë të dyshuarin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit ndaj tij për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe masën e ndalimit policor.