Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një konferencë për media tha se Kurti është ai që sipas tij “dëshiron luftë, sepse ëndërron të veshë një uniformë dhe të aktrojë “Zelenskyn e vogël” në Ballkan, por që do t’i mbetet ëndërr e parealizuar”.
Në lidhje me këtë çështje, ish koloneli i FSK-së, Afrim Veseli, ka theksuar se kryeministri Kurti është i zgjedhuri i Kosovës dhe ky pozicion i kryeministrit mund t’i duket Vuçiçit si Napoleon Bonaparta.
“Presidenti Vuçiç mund ta sheh si të dojë z. Kurtin, por ai është kryeministër i Republikës së Kosovës, i shtetit fqinj të Serbisë. Z. Kurti është i zgjedhuri i Kosovës dhe kryeminister i një shteti sovran, e pra z. Vuçiç duke shikuar nga pozicioni i tij shovenist, mund edhe t’i duket si Napoleon Bonaparta”, potencoi ai për GazetaBlic.
Sa i përket qëndrimeve të shtetit të Serbisë, Veseli tha se këto qëndrime nuk janë duke ndryshuar dhe sipas tij kjo temë në Kosovë nuk duhet të ketë vëmendje të madhe.
“Verbëria shoveniste e tij ndaj Kosovës edhe ndaj secilit kryeministrit të Kosovës deri më tani është një qëndrim që duket që nuk po ndryshon, kjo është më së shumti keq dhe e dëmshme për integrimin e shtetit të Serbisë në BE. Por ne si Kosovë s’duhet t’i kushtojmë vëmendje të madhe. Ne duhet të ecim para me agjendën tonë shtetërore, me aleatët drejt kompletimit të shtetësisë sonë”, deklaron ish koloneli i FSK-së, Afrim Veseli.