Ish-komandanti i UÇK-së në zonën operative të Llapit, Latif Gashi në rastin e 25 vjetorit të çlirimit të Prishtinës, duke e kujtuar 11 qershorin e vitit 1999 ka deklaruar se hyrja në Prishtinë e batalionit gardist të kësaj zone u bë pa koordinim me Shtabin e Përgjithshëm.

Gashi paraqet arsyet që u mor një veprim i tillë, mes tyre thekson vështirësinë për të komunikuar me shtabin.

“Hyrja në Prishtinë nuk ishte fare e lehtë, ne disa ditë para, me nënshkrimin e marrëveshjes se Kumanovës, te ne në zonën tonë ateroi një ekip parashutistësh nga KFOR-i britanez dhe çdo veprim e koordinonim me ta. Hyrja në Prishtinë ishte shumë e ndjeshme, sepse në Prishtinë hyn edhe forcat ruse. Ne hymë në Prishtinë edhe pa lejen e shtabit të përgjithshme, s’kishte mundësi për të komunikuar. Ne si zonë ishim më e pavarur dhe vendosëm me hy. Hymë në Prishtinë me batalionin gardist, u vendosëm fillimisht në Kolovicë. Ndenja ishte e papërshkrueshme”, u shpreh ai në emisionin “Ditari” në TËVË 1.

Për Gashi, kjo datë e veçantë sjell emocione gëzimi, dhembje e krenarie.

Ai ka thënë se UÇK-ja gjatë luftës gëzonte përkrahje e ndihmë nga masa.

“Është ditë e veçantë edhe ndenjat janë të veçanta në ditë të veçanta. Dita e Çlirimit të Prishtinës, 11 qershori i vitit 1999 ishte një ditë që shumë gjenerata para nesh e kishin ëndërruar. Kishte emocione gëzimi, dhembje dhe krenarie. Emocione dhembje kishte sepse shumë bashkëluftëtarë tanë nuk e pritën ditën e çlirimit, shumë atdhetar që e kishin nis luftën para neve ishin rënë dëshmorë. Ndenja e gëzimit ishte se ne si ushtri që u formuam nga populli hymë në Prishtinë me ndihmën e aleatëve tanë ndërkombëtarë. E mira ishte që solidarizimi i masës gjatë luftës ishte në maksimum, ndihmë përkrahjeje për UÇK-në”, ka shtuar ai