Ish-kryeministri i Italisë Massimo D’Alema, ka folur për kujtimet dhe miqësinë që kishte me presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

D’Alema në konferencën ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, kujtoi disa momente shumë të rëndësishme të çlirimit të Kosovës.

Ai tha se sëmundja e hershme e ndaloi Rugovën që ta shpallte pavarësinë më 17 shkurt 2008.

“Kam kujtime të mira për përpjekjet që Rugova i bëri për statusin përfundimtar të Kosovës. Unë isha në qeveri, jo si kryeministër por si zëvendës, dhe ministër i Punëve të Jashtme. Dhe Italia ishte zgjedhur si vend jo i përhershëm i Kombeve të Bashkuara dhe Ban Ki Moon në atë kohë e kishte caktuar datën 10 dhjetor si afat kur duhet të mbaronin negociatat. Dhe në dhjetor ishte radha e Italisë që ta udhëhiqte presidencën e Këshillit të Sigurimit. Ai donte personalisht të merrte pjesë në seancë për të bërë thirrje përkrahjen për pavarësi. Por, kjo u pamundësua nga nacionalizmi i lartë i Serbisë që nuk i pranonte faktet, por nuk mund ta shtyente pafundësisht këtë gjë”, tha ai.

Ish-kryeministri italian theksoi se sot jemi larg synimit dhe stabilitetit Ballkanik ku synonte Ibrahim Rugova.

Në këtë konferencë po marrin pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Jeffrey Hovenier dhe plot personalitete të tjerë të rëndësishëm.