Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka komentuar në lidhje me çështjen e shumëpërfolur të kohës së fundit, atë të demarkacionit me Malin e Zi.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka sqaruar pozicionin e tij në lidhje me këtë çështje duke përmendur periudhën kur ai ka qenë President, 2006-2010, periudhë kohore kjo kur Sejdiu thotë të jenë zhvilluar bisedimet.
Por, ai thotë se gjatë këtij procesi, “në asnjë rast nuk është kërkuar ndonjë hartë e Kosovës dhe as që është ngritur ky problem, që do nënkuptuar se as që ka pasur nevojë, pasi kjo hapësirë dhe kufijtë në këtë pjesë të vendit, nuk janë konsideruar të jenë kontestues”.
Më tej, ish-kreu i LDK-së dhe ish-Presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu, ka komentuar edhe sulmin e mbrëmshëm me predhë ndaj ndërtesë së Kuvendit, rast të cilin ka kërkuar që të zgjidhet sa më parë.
Ky është postimi i tij i plotë:
Të dashur miq,
Tema e demarkacionit e kufirit me Malin e Zi, me peshën dhe ndjesinë e vet, ka rritur në shkallë të lartë shqetësimin e qytetarëve të Kosovës. Këtë e dëshmoi edhe debati i mbajtur në Prishtinë më 3 gusht, lidhur më këtë temë, përkundër faktit se ishte jo pak i vonuar. Në të u paraqiten për opinionin publik elemente dhe fakte të reja, për të cilat institucionet e vendit do duhet të kishin vëmendje dhe kujdes duke i trajtuar në mënyre serioze, pa u nxituar dhe pa kapërcyer hapësirën e përgjegjësisë që kanë për të marrë vendime bazuar në dokumentet kryesorë shtetërorë të dhe në dobi të qytetarëve të saj.
Pos tjerash, gjatë debatit është përmendur Pakoja e Ahtisaarit dhe referenca e saj për këtë çështje, duke iu referuar kufijve të Kosovës deri në fund të vitit 1988. Kjo nënkupton, pa asnjë dilemë, pacenueshmërinë e kufijve të Kosovës, të cilët brenda territorit të saj përfshijnë pikat kyçe për të cilat është ngritur debati.
Si President i vendit në vitet 2006- 2010, periudhë kohore kjo kur edhe janë zhvilluar bisedimet, gjatë të cilit proces në asnjë rast nuk është kërkuar ndonjë hartë e Kosovës dhe as që është ngritur ky problem, që do nënkuptuar se as që ka pasur nevojë, pasi kjo hapësirë dhe kufijtë në këtë pjesë të vendit, nuk janë konsideruar të jenë kontestues.
Dihet botërisht se nuk ka pasur harta të tjera nga ato qe kanë përshkruar kufijtë e Kosovës, të cilët kanë qenë të sanksionuar edhe me Kushtetutën e vendit.
Nga Ekipi i Ahtisaarit, e di se janë kërkuar kufijtë e komunave të Kosovës, në pjesë të hapësirave, në të cilat janë formuar komunat e reja me shumicë serbe.
Këto komuna të reja të formuara më vonë nuk lidhen me hapësirat dhe brezin kufitar me Malin e Zi, për të cilin po bisedohet.
Janë momente tepër jetike për shtetin dhe shoqërinë tonë që kjo çështje të trajtohet dhe zgjidhet me urti, duke u mbështetur në faktet e qëndrueshme, shumë prej të cilave qytetarët e Kosovës kishin rastin t’i shohin gjatë debatit që u zhvillua më 3 gusht në Prishtinë.
Karshi kësaj, gjuajtja e mbrëmshme e ndërtesës së Kuvendit të Republikës, është absolutisht e papranueshme dhe e pajustifikueshme. Është tepër me urgjencë që organet e hetuesisë sa më parë të gjejnë akterët e këtij veprimi kriminal dhe të tillët të vihen para drejtësisë.
Është në përgjegjësinë i institucioneve të vendit dhe gjithë spektrit politik të tij – pozitë dhe opozitë të angazhohen për ç’tensionimin e kësaj situate në të cilën gjendet vendi dhe po kështu të ulen me përkushtim për të trajtuar problemet që i ka vendi.
Rruga e dialogut është e paalternativë.