Ish-sekretari i përgjithshëm i AAK-së, Valon Tolaj, ka dalë me propozim që të vendoset një taksë simbolike për të gjithë ata që nuk kanë qenë pjesë e luftës çlirimtare në Kosovë.

Ai në një postim në Facebook shkruan se numri i atyre që nuk kanë qenë pjesë e luftës është mbi gjysmë milion, transmeton kp. Po ashtu, Tolaj e quan të turpshëm dhe fyes debatin lidhur me veteranët e rremë të luftës së UÇK-së.

Postimi i plotë:

Meqë numri prej 38 mijë veteranëve po na duket shumë i lartë dhe po konsiderohet barrë e madhe financiare për shoqërinë dhe shtetin, për mendimin tim është shumë e thjeshtë tejkalimi i kësaj situate në aspektin financiar:

Të vendoset taksë simbolike për të gjithë ata që nuk kanë marrë pjesë në luftë, e që në vitet ’98-’99 kanë qenë të moshës madhore mbi 18 vjeçar. Numri i tyre është shumë i madh, mbi 500 mijë. Ka plot kombe e shtete që kanë vepruar kështu. Unë bëj pjesë te ky grupi i madh prej 500 mijë, për korrektësi, dhe jam i gatshëm të paguaj taksën time.

I turpshëm, gërditshëm e fyes ky debati mbi veteranët. Marre duhet me na ardh krejtve.