Dogana e Kosovës ka reaguar pas arrestimit të dy personave në Ferizaj nën dyshimin për veprën penale “spiunazhi”.
Në një deklaratë për media, Dogana e Kosovës ka sqaruar se njëri nga të arrestuarit, i identifikuar me inicialet B.Sh., kishte qenë i punësuar në këtë institucion por ishte pushuar nga puna 20 vjet më parë, konkretisht në fillim të vitit 2004.
Sipas Doganës së Kosovës, shkarkimi i B.Sh. kishte ardhur si rezultat i shkeljeve të Kodit të Mirësjelljes së Doganës, të cilat kishin të bënin me komunikimet e paautorizuara me mjetet e informimit masiv.
Që nga ajo kohë, B.Sh. thuhet se nuk ka pasur asnjë lidhje me Doganën e Kosovës.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se pas zhvillimit të hetimeve disamujore, sot në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe AKI-në, ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës.
Gjatë bastisjes, janë arrestuar dy persona me nënshtetësi Kosovare, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “spiunazhi”, nga neni 124 të KPRK-së.