Grabitjet e armatosura vazhduan edhe në vitin 2019. Brenda një jave në Komunën e Podujevës u regjistruan dy raste të grabitjeve me armë, ku plaçkitësit arritën që nën kërcënimin e armëve të përvetësonin para në dy lokacione të ndryshme të kësaj Komune. Në anën tjetër, gjatë vitit 2018, në Podujevë u regjistruan gjithsejtë 367 vjedhje, ku prej tyre 212 ishin të rënda, njofton Llapi.info
Njohësit e sigurisë dhe të drejtësisë duke alarmuar për shtimin e këtyre rasteve, si tejet shqetësuese, kërkojnë mobilizim të përgjithshëm për t’i luftuar këto raste.
Profesori i shkencave të sigurisë, Avni Islami, ka thënë se gjendja e sigurisë në Podujevë është relativisht e mirë, por që siç thotë ai me disa incidente. Sipas tij, vitin që lamë pas xhandarmëria serbe ka kryer disa arrestime brenda territorit të Kosovës.
“Gjendja e sigurisë në Komunën e Podujevës është relativisht e mirë, me përjashtim të disa incidenteve kufitare, ku gjatë vitit që lamë pas xhandarmëria serbe kishte kryer disa arrestime, në fakt sipas disa informatave që kemi dhe nga njohësit e kadastrit del që xhandarmëria serbe ka kryer arrestime brenda territorit të Kosovës. Një fenomen që kohën e fundit që u përhap janë plaçkitjet e armatosura të cilat janë zanate të vjetra, por dukuri e re tek ne, ku rrallë ka ndodh raste të evidentuar që nga paslufta. Mirëpo, tash janë të theksuara dhe karakterizohen me dhunë fizike dhe psikike gjatë ndërhyrjeve të tyre”, tha Islami për Llapi.info
Sipas tij, rastet e tilla të grabitjeve të cilat tashmë janë të theksuara janë shqetësuese.
“Kjo është shqetësuese dhe do të duhej të ishte shqetësuese për institucionet e sigurisë, të cilat deri më tani nuk kanë shfaq strategji e cila do të duhet t’i parandalonte dhe t’i luftonte këto dukuri. Mendoj që këto grupe të armatosura, janë duke e rrezikuar jetën e njerëzve, për shkak se secila grabitje e kryer me armë, rreziku është permanent për përdorimin e tyre, qoftë për punonjësit e caktuar, por edhe banorët e rastit të cilët shumë lehtë mund të pësojnë”.
“Mendoj që organet e drejtësisë duke filluar nga policia, prokuroria, gjykata e AKI-ja, janë duke punuar në këtë drejtim, por që ende nuk kemi parë një shkallë të lartë të organizimit dhe një strategji që të dilet nga kjo situatë, për shkak se unë pres që në të ardhmen të ketë sulme të tilla të armatosura. Pres që edhe në të ardhmen mund të ketë grabitje edhe në shtëpi, si ndonjë biznesmeni dhe atyre që konsiderohen se janë të pasur. Kësisoj, në popull shumë lehtë mund të krijohet një frikë dhe pasiguri”, tha tutje ai.
Islami thotë se duhet një bashkëpunim i ndërsjellët nga organet e sigurisë për luftimin e kësaj dukurie.
“Për parandalimin dhe luftimin e këtij fenomeni të ri, duhet një bashkëpunim i ngushtë mes institucioneve të sigurisë, policisë, prokurorisë dhe gjykatave. Në të njëjtën kohë duhet që Qeveria Kosovës dhe institucionet përkatëse të hartojnë sa më parë një strategji e cila do të përgjigjej në kohë. Kësisoj, të gjithë duhet ta dinë se dora e shtetit është dorë e hekurt, e cila do t’i parandaloj dhe do t’i arrestoj të gjithë ata që po terrorizojnë qoftë bankat dhe bizneset tjera. Kështu, paksa edhe është krijuar një pasiguri dhe shpresojmë që institucionet e sigurisë të arrijnë qëllimin e vetë”, tha Islami.
Ndërkohë, në Kosovë janë shtuar rastet e grabitjeve të armatosura dhe rasti më i rëndi ka qenë ai në Istog muajin e kaluar, ku ka mbetur i vdekur një polic si dhe grabitësi i armatosur./Llapi.info