Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka pritur sot në një takim kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Ismaili dhe Ahmeti kanë folur për projektin e zvarritur për vite për Spitalin e Prishtinës.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë se ky projekt, më në fund, do të bëhet realitet dhe rezultatet e para do të shihen së shpejti.
“Prishtina ka nevojë për një spital të qytetit. Projekti dhe realizimi i tij ka vite që është zvarritur duke lënë prishtinasit pa shërbime të merituara shëndetësore. Kur kam ardhur në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, një nga prioritet e mia ka qenë ndërtimi i këtij spitali”, ka thënë Ismaili, duke shtuar: “Për ta avancuar këtë projekt, sot pata një takim të frytshëm me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, të cilin e falënderoj për bisedën konstruktive. Prishtina do të bëhet me spitalin e saj dhe rezultatet e para do të shihen së shpejti”.
Më tej, ministri Ismaili tha se parakusht duhet të jetë lokacioni që projekti të nis sa më parë.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se mirëpret bashkëpunimin me Ministrinë e Shëndetësisë për Spitalin e Prishtinës.
Sipas tij, tani duhet të krijohen grupet punuese në mënyrë që puna të mos vonohet, transmeton Klan Kosova.