Ndonëse Shqipëria ka Ismajl Qemajlin që ngriti flamurin në Vlorë, Podujeva ka Ismail Hoxhën që ngriti flamurin e Kosovës në Angli kur fitoi çmimin oficer-kadeti më i mirë ndërkombëtar, me ç’rast u bë edhe oficeri i parë nga Ballkani që fiton këtë çmim, raporton Llapi.info.
Ismail Hoxha, 23-vjeçari nga fshati Obranq i Podujevës është llapjani i parë në Ballakan i cili arriti të dekorohej nga Princ Charles, si oficer-kadeti me rezultatet më të mira në Akademinë Mbretërore Ushtarake Sandhurst, në Britaninë e Madhe. Me këtë rast, Princ Charles i ka dhuruar Oficerit të Forcave të Sigurisë së Kosovës, Ismail Hoxhës shpatën e nderit për studentin më të mirë ndërkombëtar në Akademin Ushtarake.
Ismail Hoxha në një intervistë dhënë portalit Llapi.info ka thënë se këtë çmim e ka fituar falë angazhimit në Akademinë Ushtarake, dhe se çmimi është domethënës për gjithë Ballkanin.
“Çmimi është vlerësimi prej komandantin për studentin më të mirë. Vlerësimi bëhet gjatë gjithë vitit dhe për shkak të punës që e kemi bërë deri tani ka rezultuar me këtë cmim. Çmimi është domëthënësë për mua dhe për të gjithë, sepse jam i pari që e kam fituar në Ballkan këtë çmim. Ndihem shumë krenar që i kam bërë popullin tonë të ndihen mire. Është krenari e madhe për të gjithë ne”, ka thënë Ismail Hoxha për Llapi.info.
Hoxha ka treguar se në Akademinë Mbretërore Ushtarake kanë qënë 180 oficerë britanikë dhe ndërkombëtar, si dhe mbi 30 pjesëtarë nga 30 shtete tjera. Në mesim e gjithë këtyre, Ismail Hoxha është shpallur oficer-kadeti më i mirë.
“Ka qenë një ndjenjë e mirë sepse është shpërblyer puna. Pastaj për FSK-në në rend të parë dhe për gjithë popullin në përgjithësi. Qëllimi im kryesor është që njohuritë që i kam fituar atje të vi t’i tregoj këtu dhe t’i shërbej vendin tim”, ka thënë më tej Hoxha.
Nga ana tjetër, babai i Ismail Hoxhës, Selman Hoxha, duke treguar se biri i tij, Ismail Hoxha në Akademin e FSK-së në Kosovë ka diplomuar me 4 korrik, në ditën e ditëlindjes së tij, ka përmendur faktin se ka besuar në sukseset e birit të tij, por jo se do të vijë edhe deri të ky çmim.
“Jam ndier jashtëzakonisht mirë. E kam ditur që ka me qenë i suksesshëm, sepse që nga fillimi e ka pasur mbështetjen dhe bekimin tim. E kam pasur besimin e plotë që ka me pasur sukses, por se vie deri të ky çmim nuk e kam pritur duke e marrë parasysh konkurrencen e cila ka qenë”, ka thënë Selman Hoxha.
Kurse, Ismail Hoxha i ka falenderuar të gjithë ata të cilët e kanë mbështetur deri tani. Duke kujtuar dhe falenderuar edhe mësuesin e tij të klasës së parë në Sh.F. “Ali Hadri” në Obranq, Nezir Hasanin. Pastaj, mësuesen Xhemile Aliun në Sh.F. “Naim Frashëri” dhe kujdestarin Avdi Bajokun.
Ismail Hoxha ka porositur të gjithë të rinjët e Kosovës që t’ua caktoni një qëllim vetës, një qëllim që ju bënë të ndiheni mirë dhe punoni për atë qëllim, sepse kur e ke një qëllim, çdo gjë ka kuptim. “Kultura shqiptare është e mirë dhe shumë lehtë mund të arrijmë gjithçka me punë dhe përkushtim. Sukseset e juaja të parat duhet të shpërbejnë si motivim për të ardhmen”, ka thënë Hoxha në fund të intervistës./Llapi.info