Afër selisë qendrore të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Prishtinë, dje ka ndodhur një incident i armatosur ku janë përfshirë tre persona, në mesin e të cilëve edhe kryetari i degës së AAK-së në Podujevë, Ismet Abdullahu.

Mësohet se Ismet Abdullahu dhe personat që e shoqëronin u përleshen me Liridon Gecin, banor i lagjes Ulpiana, aty edhe ku ndodhi incidenti.

Zyrtarisht Policia e Kosovës ka konfirmuar për Indeksonline se në Ulpianë, afër selisë së AAK-së ka ndodhur përleshje dhe se tre persona janë shoqëruar në polici.

Burime të portalit kanë rrëfyer për ngjarjen që ka ndodhur dje. Sipas tyre, deri te incidenti ka ardhur për parking, derisa Liridon Geci është sulmuar nga Ismet Abdullahu dhe shoqëruesit e tij.

Po ashtu, këto burime thonë se Liridon Geci ka qenë duke pritur për t’u liruar një parking për ta parkuar veturën e tij, derisa Abdullahu dhe shoqëruesit e tij kanë kërkuar lirimin e parkingut që i takon lagjes dhe këtu ka nisur konflikti.

“Rasti ka ndodh në mes të Ismet Abdullahut që shoqërohej nga disa persona tjerë dhe Liridon Gecit, banor i lagjes Ulpiana. Deri te incidenti ka ardhur për një parking dhe Geci është sulmuar me armë prej tyre, ku njëri prej sulmuesve është në mbajtje në polici. Më pas kanë ardhur policia, derisa është tentuar sërish sulmi ndaj Liridon Gecit edhe në praninë e policisë. Personat në fjalë i kanë rezistuar edhe policisë gjatë arrestimit”, kanë thënë burime që ishin në vendin e ngjarjes.

Informacionet e fundit nga policia flasin për caktimin e masës prej 48 orësh prej njërit nga shoqëruesit të Ismet Abdullahut.

Edhe pse ngjarja ka ndodhur dje shumë herët, AAK-ja nuk ka dhënë ndonjë sqarim e asnjë deklaratë. /Indeksonline/