Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka ngritur shqetësimin e banorëve të Karaçevës të cilët nuk po lejohet të lëvizin në pronat e tyre.
Krejt kjo për shkak të një tabele të vendosur nga KFOR-i, e që shënon vijën kufitare me Serbinë, raporton lajmi.net.
Isufi ka thënë se pikërisht në kohën kur është duke u biseduar për dialogun me Serbinë, banorët e Karaçevës nuk po lejohet të lëvizin lirshëm në pronat e tyre.
“Kemi lëvizje që shqetësojnë qytetarët e Kosovës, në Karaçevë ku është vendosur një tabelë që pamundëson lëvizjen e qytetarëve në pronat e tyre, kjo duhet të alarmojë institucionet e Kosovës në mënyrë që të mbrohet territori i vendit. Stacionimi i forcave serbe është diçka që i shqetëson banorët e kësaj ane, andaj duhet të mirren masa që kjo të mos vazhdojë”, ka thënë Isufi.
Kujtojmë se këtë shqetësim e ka ngritur edhe deputeti tjetër i Kuvendit të Kosovës, Ismajl Kurteshi.