Ushtria izraelite tha më 1 tetor se Irani kishte nisur raketa në drejtim të Izraelit dhe se cak i predhave të lëshuara nga Irani janë rreth dhjetë milionë civilë në zona të ndryshme të vendit.

Autoritetet në Izrael gjithashtu raportuan se sirena alarmi u lëshuan nëpër të gjithë Izraelin dhe se banorët janë udhëzuar të kërkojnë strehim të sigurt.

Garda Revolucionare e Iranit tha se sulmi me raketa ndaj Izraelit ishte në përgjigje të vrasjes së kreut të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, javën e kaluar, si dhe të liderit të Hamasit.

Irani kishte premtuar se do të hakmerrej për sulmet ajrore izraelite të javëve të fundit që vranë udhëheqësinë e lartë të Hezbollahut në Liban, grupit militant që është cilësuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.

Bashkimi Evropian e ka futur në listën e zezë krahun e armatosur të Hezbollahut, por jo partinë e tij politike, e cila ka vende në parlamentin libanez. Ndërsa, grupi palestinez, Hamas, është shpallur organizatë terroriste edhe nga SHBA-ja, edhe nga BE-ja.

Pas sulmeve, Izraeli dhe Jordania lajmëruan se kanë mbyllur përkohësisht hapësirat ajrore.

Më herët gjatë ditës, ushtria izraelite tha se kishte nisur sulme “të shënjestruara dhe precize” brenda Libanit në atë që e quajti një “inkursion të kufizuar” tokësor që filloi gjatë natës, duke shtuar se trupat e saj ishin të përfshira në “luftime të ashpra” me Hezbollahun.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, tha se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për ta ndihmuar Izraelin të mbrohet nga sulmet me raketa të Iranit dhe për ta mbrojtur personelin ushtarak amerikan në rajon.

Ai e dha këtë deklaratë në platformën X, pas një takimi që zhvilloi me zëvendëspresidenten Kamala Harris dhe ekipin e sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.

Më herët, një zyrtar i lartë i administratës amerikane kishte paralajmëruar se Irani po përgatitet për të nisur një sulm “të menjëhershëm” me raketa balistike ndaj Izraelit, duke shtuar se do të kishte “pasoja të rënda” nëse një gjë e tillë ndodh.

Zyrtari amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se Shtetet e Bashkuara po mbështesin aktivisht përgatitjet e Izraelit për mbrojtje. Anije dhe avionë amerikanë janë vendosur në rajon për ta ndihmuar Izraelin në rast të një sulmi.

Pas paralajmërimeve për një sulm të tillë, ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, pati një bisedë me homologun e tij amerikan, Lloyd Austin.

“Ministri dhe sekretari diskutuam për gatishmërinë operacionale të Izraelit për të mbrojtur qytetarët dhe asetet ushtarake, si dhe për pozicionin e forcave amerikane në rajon”, tha Ministria e Mbrojtjes në një deklaratë.

Irani nisi një sulm të drejtpërdrejtë të paprecedentë ndaj Izraelit në prill të këtij viti, por pak nga raketat arritën objektivat e tyre. Shumica u rrëzuan nga një koalicion i udhëhequr nga SHBA-ja, ndërsa të tjerat duket se dështuan gjatë lëshimit ose u rrëzuan gjatë fluturimit.

Ky zhvillim vjen pasi ushtria izraelite më 1 tetor paralajmëroi njerëzit të evakuonin dhjetëra vendbanime në kufirin me Libanin, disa orë pasi njoftoi se ishin duke kryer operacione “të kufizuara tokësore” kundër Hezbollahut.