Nga 92 aplikues sa kishin aplikuar vetëm 30 prej tyre u shpallën fitues të fidaneve të mjedrrave në Podujevë. Kjo pasi, sipas zyrtarëve komunal, këta 30 persona kishin plotësuar kushtet e nevojshme.

Të jetë banor i komunës së Podujevës, çertifikata mbi pronësinë e paluajtshme, vërtetimi i tatimit në pronë, burimi i ujit të mjaftueshëm dhe analizat e tokës së destinuar për mbjellje, ishin kushtet e nevojshme për aplikim.

Konkursi ishte shpallur për 20 fitues, ndërsa, në listat e publikuara nga komuna janë 30 përfitues.

Avni Fetahu, përgjegjës për sektorin e bujqësisë në komunën e Podujevës, shpjegon arsyet për portalin “Llapi.info” se pse ka ndodhur kjo rritje e përfituesve.

“Ka pasur kërkesa të mëdha për fidane të mjedrrave. Dikush ka filluar për herë të parë me mjedërr, dikush edhe më herët. Për shkak të kërkesës së madhe ne e kemi rritur numrin nga 20 në 30 përfitues”, ka thënë Fetahu.

Pjesë e fituesve të fidaneve të mjderrave siç shihet në listë është edhe Adnan Zymeri, familjar i kompanisë “Toifor”, me të cilën komuna e Podujevës ka kontratë të vazhdueshme.

Ndërsa, një burim nga komuna ka thënë për portalin “Llapi.info” se të gjithë fituesit janë përkrahës të LDK-së, me përjashtim të pesë ose gjashtë personave, duke mos i identifikuar këta të fundit.

Për këtë, Avni Fetahu, është përgjigjur duke thënë se komisioni është ai që ka bërë përzgjedhjen e përfituesve.

Fetahu ka treguar se fituesit do të marrin nga 3.000 fidane mjedërr në fazën e parë dhe 3.000 të tjera në fazën e dytë në vjeshtë.

Në fillim është dashur që komuna të u shpërndaj fidanet dhe përfituesit t’i mbjellin, ndërsa, tani duhet që përfituesit t’i mbjellin vetë fidanet dhe pas 15 ditëve komuna të bëjë kompenzimin e tyre. Kjo mënyrë sipas Fetahut është më e arsyeshme.

“Është më e arsyeshme kjo mënyrë sikur që e aplikon edhe Ministria e Bujqësisë. Për këtë e kemi bërë edhe këtë ndryshim. Pas 15 ditësh është afati për kompenzim të fidaneve. Fidanet që fituesit i mbjellin duhet të i plotësojn kushtet dhe të japin rendimete”, ka thënë Fetahu./Llapi.info

11033393_10203922563040155_5423957335552397608_n