Jack Smith, prokuror amerikan me përvojë në hetime politike të rangut të lartë dhe hetime penale ndërkombëtare, u emërua Prokuror i Specializuar pas një procesi përzgjedhës të organizuar nga Bashkimi Evropian.
Ai do të jetë pasardhësi i David Schvendimanit, i pari Prokuror i Specializuar, më herët edhe Kryeprokuror i Task Forcës Hetimore Speciale, i cili e lëshoi detyrën më 31 mars kur skadoi emërimi i tij si zyrtar i Shërbimit të Jashtëm amerikan.
“Është nder dhe kënaqësi që më ofrohet kjo sfidë dhe jam i gatshëm t’i çoj hetimet më tej”, u shpreh Smith.
Aktualisht, Smith është nënkryetar dhe kreu i seksionit të padive i Korporatës Spitalore të SHBA-së, organizata shëndetësore joqeveritare më e madhe në Shtetet e Bashkuara, një post të cilin e ka pasur që në shtator 2017.
Nga shkurt 2015 deri në gusht 2017, z. Smith ishte ndihmësprokuror i parë federal dhe ushtrues i detyrës së prokurorit federal për rajonin e mesëm në Tenësi (Tennessee).
Gjatë periudhës 2010-2015, Smith ishte kreu i seksionit për integritet publik në Departamentin e Drejtësisë së SHBA-së, ku ishte i ngarkuar me mbikëqyrjen e procedimit të çështjeve të ndërlikuara për korrupsion publik anembanë Shteteve të Bashkuara.
Nga 2008 deri më 2010, Smith ishte koordinator për hetime në Zyrën e Prokurorit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN). Në atë post, ai mbikëqyri hetime delikate të zyrtarëve të qeverive të ndryshme dhe të milicisë, për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.
Para detyrë në GJPN, Smith ishte në Zyrën e Prokurorit Federal për Rajonin Lindor të Nju Jorkut (New York), ku gjatë nëntë vjetëve pati poste të ndryshme, ndër të cilat kreu i zyrës për paditë penale dhe zëvendësshef i Seksionit Penal. Si kreu i zyrës për paditë penale, Smith kishte në vartësi afërsisht 100 prokurorë penalë në një sërë fushash, si korrupsioni publik, terrorizmi, bandat dhe krimi i dhunshëm, si dhe mashtrimet financiare dhe krime të natyrës ekonomike.
Para detyrës si ndihmësprokuror federal, Smith punoi për pesë vjet si ndihmësprokuror rajoni në Zyrën e Prokurorit të kontesë së Nju Jorkut, ku ai ishte në seksionin për vepra penale seksuale dhe dhunë shtëpiake.
Gjatë karrierës së tij, Smith ka marrë një sërë çmimesh. Këtu përfshihen Çmimi për Drejtor nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së; Çmimi i Prokurorit të Përgjithshëm për Shërbime të Shquara; Çmimi për Juristët e rinj nga Shoqata Federale e Juristëve; Çmimi Charles Rose nga Shoqata e Rajonit Lindor; Medalja Henry L. Stimson nga Shoqata e Juristëve të kontesë së Nju Jorkut dhe bursa pasuniversitare Wasserstein e Fakultetit Juridik të Harvardit.
Ai është diplomuar në Fakultetin Juridik të Harvardit dhe në Universitetin Shtetëror të Nju Jorkut në Oneonta.