Muaji janar për shumë familje, ishte muaj i mallkuar. Veç, për 12 ditë të këtij muaji Gazeta Express ka raportuar për 5 vetëvrasje ndërkohë që nga fundit i nëntorit janë raportuar 9 raste. Një grua pasi që u bekua me epitetin më të mirë në këtë botë të nënës, vendosi që nga dritarja e banjos së Gjinekologjisë ta mbyt veten. Ndërsa një nënë tjetër, për ditëlindjen e djalit të saj i bëri një befasi trishtuese të birit duke privuar vetën nga jeta me armë. Por jo veç gratë po e bëjnë këtë akt. Baba 81 vjeçar nga Gjakova, kishte zgjedhë ujin e akullt të Erenikut të gjejë jetën e përtejme, e ndërsa 52 vjeçari nga Podujeva zgjodhi litarin për të mbyllur kapitullin mbi tokë. Këto veprime sipas psikologëve dhe sociologëve, i shkaktojnë krizat dhe depresioni.
Gazeta Express ka folur me psikologë dhe sociologë të cilët thonë se depresioni shtyn shumë persona që të kryejnë vetëvrasje.
Kur përmendet depresioni, është rasti i nënës së re, e cila i privoi vetes jetën, ku familjarët kanë treguar se pas lindjes tashmë e ndjera Blerina Sejdiu-Hodolli, nuk ishte ndjerë mirë dhe se ata dyshojnë se gjendja e fëmijës së saj e ka shtyrë për ta kryer këtë akt.
Se depresioni është shkak që të shtynë drejtë vetëvrasjes e kanë konstatuar edhe hulumtime të ndryshme që janë bërë tash e sa kohë. Rrëfimi tjetër që depresioni ka nxit personin për vetëmohim është edhe Shukrije Shala nga fshati Maxhunaj i Vushtrrisë, që vrau veten me armë.
Madje për depresionin dhe shkaqet e tij, ka folë për Express, psikologia Brikena Krasniqi.
“Depresioni i rëndë ose kronik si shkaktari më i shpeshtë i vetëvrasjes shoqërohet gjithmonë nga një ndjenjë intensive dhe e përhapur e vuajtjes emocionale, ndjenjat e mungesës së shpresës dhe pavlefshmërisë, ndërsa besimi që do të behën më mirë ose shpresa për të ardhmen mungon. Shpesh njerëzit vuajnë në heshtje, duke planifikuar vetëvrasjen pa e ditur askush. Problemet mendore dhe vështirësitë emocionale mund të trajtohen dhe të gjithë duhet të përpiqemi ti njohim ato me aq sa mundemi, tek miqtë dhe të dashurit tanë të ngushtë”, ka thënë tutje Krasniqi.
Por e habitshmja dhe shqetësimi është se të gjitha këto raste, ndodhën në këto 2 javë të janarit.
Sociologu Ferdi Kamberi thotë se studimet tregojnë që dhjetori, janari dhe stina e pranverës njihen për këtë akt. Mirëpo edhe pse vrasjet janë shpeshtuar në Kosove gjatë këtij muaji – e që konsiderohet si stinë depresive pas festave të fundvitit, sipas statistikave botërore pranvera është stina ku ndodhin më së shumti vetëvrasje.
“Ka disa teori të cilat pohojnë se në një pjesë të botës vetëvrasjet më së shumti kryhen gjatë muajve të fundvitit ose fillimit të vitit për shkak të ndryshimeve sezonale dhe kalkulimeve të bilancit ekonomik, sidomos kjo kur njerëzit analizojnë humbjet ekonomike dhe bien në një gjendje depresioni i cili mund t’i shpie drejtë një akti të tillë. Po ashtu, në disa raste vetëvrasjet kryhen më së shumti gjatë stinës së pranverës për shkak se në këtë stinë disa sociologë pohojnë se çdo gjë fillon të zgjohet”, thotë Ferdi Kamberi për Express.
Se pranvera njihet stinë e vetëvrasjeve e ka cilësuar edhe Instituti Kombëtar Shtetëror në SHBA. Në një artikull të publikuar ata shkruajnë se në pranverë ka më së shumti vetëvrasje por se ata ende nuk i kanë gjetur shkaqet.
“Faktorët e rrezikut përfshijnë përcaktuesit mjedisorë, duke përfshirë faktorët fizikë, kimikë dhe biologjikë.”, shkruhet mes tjerash në artikull.
Psikologët dhe sociologët thonë se vetëvrasjet janë bërë “trend” shqetësuese në Kosovë, pasi shumë njerëz po e zgjedhin këtë rrugë si një mënyrë për t’u ikur problemeve apo shqetësimeve që kanë.
Por për këtë akt, Psikologia Brikena Krasniqi nuk e fajëson vetëm depresionin dhe shkaqet tjera por edhe mekanizmat jo funksional që janë në Kosovë.
“Duke pasur parasysh sistemin shëndetësor jo funksional dhe posaçërisht mos organizimi i shërbimeve të shëndetit mendor në vendin tonë, shumë njerëz që kanë probleme të tilla nuk diagnostikohen dhe nuk marrin ndihmën e duhur. Këtu duhet shtuar edhe stigmën ose turpin qe ka shoqëria jonë, që edhe pse kanë nevojë, njerëzit i shmangën vizitave te psikologu ose psikiatri. Kjo është njëra nga arsyet e shumta që njerëzit zgjedhin vetëvrasjet”, ka thënë për Express, Brikena Krasniqi.
Ndërsa sipas Kamberit, fenomeni i vetëvrasjes në Kosovë ka edhe një dallim tjetër e që është tek metodat e vetëvrasjes, gjë që para luftës metodat kryesisht kanë qenë pasive që ka nënkuptuar se viktima është munduar që të kryen vetëvrasje përmes helmeve të ndryshme dhe ka mundur të shpëton. Kurse, tash metodat janë kryesisht aktive që nënkuptojnë se viktimat rezultojnë me vetëvrasje të menjëhershme.
“Disa studime nga OBSH tregojnë se çdo 40 sekonda në nivel global një person bënë vetëvrasje dhe njëherit ky fenomen konsiderohet si një ndër problemet me të mëdha në nivel global. Në kontekstin, kosovar mund të shohim ka një dallim dukshëm të lartë të vetëvrasjes para dhe pas luftës. Pas vitit 1999 jemi dëshmitarë të asaj që çdo herë ka pasur rritje të numrit të vetëvrasjes, duke përfshirë mosha të ndryshme dhe duke përfshirë të dy gjinitë. Prej vitit 1999 e deri në vitin 2013 janë evidentuara 786 raste të vetëvrasjeve dhe 2.494 raste të tentim vetëvrasjes”, ka thënë mes tjerash Kamberi.
Gazeta Express gjithashtu ka siguruar edhe statistikat e vetëvrasjeve ndër vite nga Policia e Kosovës. Që nga viti 2001 deri në vitin 2017 statistikat kanë ndryshuar, por viti që ka pasur më së shumti vetëvrasje është 2014-ta, me gjithsej 77.
Gjithashtu sipas PK-së, viktimat e gjinisë mashkullore prijnë në kryerje të këtij akti, kurse për rastet e mbetura në tentativë ka më shumë raste të gjinisë femërore.