Shefi i Task Forcës Kundër Narkotikëve tek të Rinjtë dhe Siguri në Shkolla, Avdullah Hasani, sot gjatë ditës ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij.
Hasani e ka bërë të ditur lajmin përmes një postimi në Facebook, rreth një javë pas formimit të Qeverisë së re të Republikës së Kosovës.
Ai ka falënderuar të gjithë personat që i kanë qëndruar pranë, për këshilla e kritika.
“Kam dhënë DORËHEQJE nga pozita e Shefit të Task Forcës Kundër Narkotik tek të Rinjtë dhe Siguri në Shkolla. Ju falënderoj që më qëndruat pranë, më kritikuat, më këshilluat e nëpërmjet këtyre më ndihmuat. Angazhimi im tani e tutje do të jetë vetëm profesional”, bën të ditur Hasani.
Qeveria e Kosovës kishte aprovuar propozim-vendimin për fillimin e fushatës kundër përdorimit të narkotikëve dhe formimi i task forcës kundër narkotikëve dhe siguri në shkolla në qershor të vitit 2019.
Avdullah Hasani ishte emëruar shef i kësaj Task-force, ndërsa zëvendësshef për çështje operacionale ishte emëruar drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.
Hasani fillimisht ishte kryetar i Kuvendit të Rinisë së Kosovës, ndërsa pas kësaj u emërua kryetar i Rinisë Evropiane të Kosovës.
Me formimin e qeverisë Haradinaj, Hasani mori pozitën e koordinatorit nacional për rini, si këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj.