Drejtori i Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Podujevës, Leutrim Krasniqi, ka kërkuar lirimin nga kjo pozitë.
Arsyeja e kësaj kërkese janë angazhimet e tij personale dhe profesionale, si ngritja në karrierë.
Në letrën e tjj, ai e ka falenderuar kryetarin e komunës, Shpejtim Bulliqi, kolegët komunalë dhe aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje për bashkëpunimin.
Letra e plotë;
Të nderuar familjarë, miq, bashkëpunëtorë, aktivistë të Lëvizjes dhe qytetarë
Sot kam kërkuar lirimin tim nga pozita e Drejtorit të Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Podujevës. Ky vendim vjen si rezultat i disa arsyeve personale dhe profesionale për avancim në karrierë, të cilat e bëjnë të pamundur zhvillimin e detyrës sime në këtë pozitë.
Gjatë kësaj periudhe afër tri vjeçare kam punuar me nder dhe përkushtim maksimal për të çuar përpara projektet dhe prioritetet që ndikojnë në zhvillimin e qytetit tonë dhe përmirësimin e jetës për qytetarët. Jam krenar për punën dhe për rezultatet e arritura gjatë kësaj kohe.
Falënderoj për besimin, mbështetjen dhe bashkëpunimin kryetarin e Komunës, Shpejtim Bulliqi, nënkryetaren Marigona Lahu, drejtorët, zyrtarët komunalë, ekipin tim të Drejtorisë dhe, mbi të gjitha, qytetarët për mbështetjen dhe bashkëpunimin e tyre të vazhdueshëm. Një falënderim i veçantë shkon për aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! të cilët kanë qenë një shtyllë e fortë e punës sime me mbështetjen e tyre.
Edhe pse nuk do të jem më në këtë pozitë, mbetem i përkushtuar për t’i shërbyer qytetarëve dhe për të kontribuar në mënyra të tjera në zhvillimin e qytetit tonë.
Faleminderit për besimin dhe për mundësinë që pata të kontribuoj në këtë detyrë.
Me respekt,
Leutrim Krasniqi.