Partia Demokratike e Kosovës nuk i ka punët mirë në Podujevë, gjersa në degën e kësaj partie kanë filluar përçarjet dhe mospajtimet, njofton Llapi.info.
Pas një zënke që ndodhi ditë me parë ndërmjet deputetes së Kuvendit të Kosovës, Floretë Zejnullahu dhe zëdhënëses së partisë në këtë degë, Valë Rudari, kjo e fundit ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat e Partisë Demokratike të Kosovës.
Kështu ka bërë ditur vetë Rudari përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook. Ajo ka akuzuar publikisht bashkëpartiakët për kërcënime.
“Unë, Valë Rudari, anëtare e kryesisë së Degës në Podujevë, zëdhënëse e partisë, jap dorëheqje nga të gjitha pozitat e Partisë Demokratike të Kosovës. Kjo dorëheqje nuk ka të bëjë me mungesë vetëbesimi apo dorëzimi nga situatat në të cilat kalova në kryesi, por kjo është shkak i kërcënimeve, mos mbështetjes, provokimeve profesionale e personale si nga ana e Degës së Podujevës dhe e Qendrës”, ka shkruar ajo.
Rudari ka hedhur akuza disa prej pjesëtareve të PDK-së për kërcënimet që kanë bërë asaj dhe për sjelljet siç i ka quajtur ajo jo njerëzorë.
“Akuzoj në mënyrë të drejtpërdrejt Betim Gjoshin me ekipin e tij në promovimin e kandidatit Naim Fetahu, me sjellje jo njerëzore ndaj meje. Deputeten Floreta Zejnullahu, me sjelljen me nivelin më të ulët që mund të ketë një deputete dhe me kërcënime serioze. Akuzoj Kryetarin e Shtabit të partisë Skender Murati, që nuk ofroi mbështetjen e duhur bashkë me shtab për një vajzë të re, të devotshme, punëtore dhe që mendon më zë, që partia të përmirësohet”, ka thënë mes tjerash Rudari./Llapi.info