Janë vetëm babë e bir dhe jetën e kanë shumë të vështirë. Të parit, përveç për mbijetesë, i duhet të kujdeset edhe për birin e tij invalid.
Traktori është mjeti me të cilin Ilaz Bajgora nga fshati Merdar i Podujevës e dërgon djalin e tij, Fatmirin, 26-vjeçar te mjeku. Jetojnë të dy vetëm në një dhomë të vjetër, në mëshirën e Zotit dhe njerëzve të vullnetit të mirë. Ilazit i duhet vet të kujdeset për djalin e tij, pasi gruaja i ka vdekur tash e gjashtë vite.
“Perëndia na ka në dorë neve”, ishin fjalët që Ilazi përsëriste më së shumti, fjalë këto të cilat i ngjallnin shpresën për të jetuar. E shuma prej 70 euro ndihmë sociale, Ilazit nuk i mjaftojnë as për kontrolla të djalit të tij.
“Ju po e shihni gjendjen e djalit. Një dakik pa mu nuk rrinë. Me ec nuk munet, me fol mirë jo, por unë e kuptoj çka thotë. E kam pasur nëpër mjek, por shërim në Kosovë nuk ka. Këtë kategori të njerëzve veç duhet me gzu me fjalë”, thoshte Ilazi me një dhimbje që vërehej në sytë e tij.
“Është shumë shtirë. Te mjeku pa i pas pesë euro nuk munesh me shku. E 70 euro social nuk më dalin as shtatë –tetë ditë. Me traktor e qoj te mjeku. Traktori është i ftoft verës e le ma dimrit. Pa dinar s’po munesh me ba kurgjo..edhe Fatmiri është anëtar i Kosovës”, tha Ilazi.
E me buzëqeshje tregonte për ndihmën e një miku të kojshis së tij, i cili i kishte siguruar karrocën për djalin e tij, Fatmirin, dhe për ndihmat që i merr ndonjëherë nga njerëzit zemërmirë.
Ilazi po ashtu, tregonte se Handikos në Podujevë u del në ndihmë ndonjëherë kur ata kanë mundësi.
Përveç Fatmirit, i cili është i sëmur që nga fëmijëria, Ilazi kishte edhe dy djemë të tjerë, por të cilët nuk jetonin në dhomën ku po jetonte Ilazi me Fatmirin.
“Ky din, ka qef me dal, me pa..”, ishin fjalët që Ilazi pëshpëriti në fund për djalin e tij Fatmirin.
Tani që po afrohet stina e dimrit, Ilazi ka mbetur nën mëshirën e Zotit dhe njërzve të vullnetit të mirë./Llapi.info