Oh jo, edhe një libër për pandeminë vetëm pak muaj pasi jemi goditur nga COVID-19. Jo edhe një tjetër varg i dromcave nga ngjarjet e nesërme. Fareed Zakaria, nikoqir në CNN me doktoratë në Harvard, nuk bie në këtë grackë.

Mençurisht, ai rri mënjanë nga betejat e çdoditshme mbi maskat dhe izolimin. Dhe nuk është as kuja zanat i tij. Përkundrazi, “Ten Lessons for a Post-Pandemic World” vë në përdorim thjerrëza të gjëra mbi qeverisjen, ekonominë dhe kulturën. Quajeni “histori e aplikuar”. Çfarë zhbirimesh sjell gjatë një mynxyre që evokon gripin spanjoll pas Luftës së Parë Botërore, që mori 50 milionë jetë, e disa thonë 100 milionë?

Kjo storie vjen me përkorësi mbi krahasimet historike. Zakaria u përshkruan “efekte sizmike” kataklizmave të tilla. Athina e lashtë, një demokraci krenare, nuk e mori veten asnjëherë nga murtaja. Vdekja e Zezë, në mesjetën e vonë, bëri kërdi në Evropë me një epilog prej 75 deri në 200 milionë. Dhe vëreni që ajo vlerësohet të ketë zgjatur 100 vjet. Gripi spanjoll kaloi pas dy vjetësh. Derisa vdekshmëria kulmoi në Shtetet e Bashkuara, ekonomia ra vetëm 3.5 për qind. U desh të vinin vitet ’30 që ne të mund të shihnim virusin nën mikroskopin elektronik. Sot, SARS-CoV-2 u përnjoh thuajse menjëherë.

Atëherë e kaluara është si Sfinksi me këshillën e vet të shumëkuptimtë. Jo vetëm shkenca ka mësuar pak gjëra. Ashtu edhe qeveritë, të cilat nuk dhanë asnjë dyshe pas përplasjes së 1929-s, por sot derdhin me triliona.

Pasi ka nxjerrë “një përmbledhje të zymtë kërcënimesh”, Zakaria me të drejtë kremton “botën tonë të qëndrueshme”. SHBA-ja në të vërtetë “merr fuqi nga kaosi dhe krizat”. Ai shkërmoq edhe nocionin mendjelehtë që një despot si Xi Jinping i Kinës ia del më mirë se udhëheqësit demokratikë. Khamenei në Iran dhe Erdogani në Turqi kanë performuar keq, e po kështu edhe Brazili, që qeverisen prej caudillove (udhëheqës ushtarakë – v.j.).

Demokracitë nuk epën kah autoritarizmi, por as nuk ka ndonjë kah të qartë. Të paktën gjer tani Gjermania, Danimarka dhe Austria kanë performuar më së miri, e më së keqi Belgjika, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar.