Anthony Joshua ka peshuar 107 kilogramë në prag të meçit për titull kundër Alexander Povetkinit, që do të mbahet në stadiumin ikonik “Wembley” të Londrës, të shtunën mbrëma.

Kampioni i peshës së rëndë në versionet IBF, WBA e WBO, Joshua është përballur sy me sy me Povetkinin gjatë matjeve të bëra të premten në Islington. Povetkin ka peshuar 12 kilogramë më pak, transmeton Koha Ditore.

Joshua ishte shumë optimist derisa shikonte në sy Povetkinin pas matjeve. Sa i përket meçit, britaniku është treguar i matur në deklaratat e tij. Madje, ka thënë se Povetkin është kundërshtari më i fortë prej luftës me Wladimir Klitschkon, të cilin e mposhti në “Wembley” në muajin prill të vitit të shkuar. Joshua po kthehet në të njëjtin stadium, por këtë herë për luftën e tij të 22-të si profesionist. Ai deri më tash i ka zhvilluar katër meçe në stadium.

Dy meçet e tij të fundit ishin organizuar në stadium, kundër Carlos Takamit e Joseph Parkerit. Meçi ndërmjet Joshuas dhe Povetkinit, pritet të përcillet prej 80 mijë tifozëve që do të jenë të pranishëm në stadiumin londinez.