Politikani liberal serb, Çedomir Jovanoviq, ka kritikuar politikën dhe shoqërinë serbe, se e kanë lënë vendin mbrapa, duke u marrë me gjëra siç ai i quan të çmendura. Përmend faktin se serbëve u pengon se shqiptarët e bëjnë shqiponjën.
Ai në televizionin N1 ka bërë edhe vetë shqiponjën dykrenore të shqiptarëve, duke thënë se kjo u pengon serbëve dhe se kjo është çmenduri.
Jovanoviq ka thënë se kjo nuk do të duhej të ndodhte, pasi për shqiptarët është një simbol kombëtar, sikurse për serbët që janë tre gishtat.
Jovanoviq ka nisur një iniciativë në Serbi, për të krijuar një koalicion, të cilin ai po e quan ‘Koalicioni i Paqes’, përmes të cilit do të kërkohet arritja e një marrëveshje paqësore në mes të Serbisë dhe Kosovës, e cila sipas tij, do t’i hapte perspektivë vendit.
Ai ka deklaruar se opozita serbe nuk ka zgjidhje për Kosovën ndërsa duke folur për koalicionin opozitar Lidhja për Serbinë, ka thënë se kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka shkuar më larg se ata (opozitarët) dhe se është më modern se ata.
“Kush po e shkatërron idenë e marrëveshjes me shqiptarët? Edhe kisha, edhe nacionalistët e edhe Dodiku”, është përgjigjur ai.
Ai e ka arsyetuar qëndrimin e vet të mëhershëm se takimi i kryetarëve Vuçiq e Thaçi i parashikuar për në shtator në Bruksel është shumë i rëndësishëm për zgjidhjen e këtij problemi.
Jovanovoqi ka thënë se dëshiron mbajtjen e referendumit për Kosovën.