Në Podujevë tashmë ka hyrë në fuqi Ligji për faljen e borxheve publike. Nga falja e borxheve publike për periudhën deri më 31 dhjetor 2008, sipas këtij ligji, përfitojnë të gjithë personat të cilët kanë obligime të pashlyera ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike, njofton Zyra për Informim në Komunën e Podujevës, përcjell Llapi.info.

Në bazë të Udhëzimit Administrativ të Qeverisë së Republikës së Kosovës, që përcakton procedurat dhe afatet për faljen e borxheve publike që personat fizikë dhe juridik me qëllim të përfitimit nga falja e borxheve publike deri më 31 dhjetor 2008, si dhe përfitimit nga falja e ndëshkimeve, gjobave, interesit si dhe obligimeve të tjera që rrjedhin nga mos-pagesa e kryegjësë së borxhit për periudhën 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2014, personat duhet të bëjnë pagesën e plotë të kryegjësë së borxhit publik (borxhit kryesor) nga 1 janari 2009 deri më 31 dhjetor 2014, kjo pagesë është e menjëhershme.

Me qëllim të përfitimit nga falja e borxheve deri më 31 dhjetor 2008, përfshirë këtu edhe ndëshkimet për borxhin e papaguar për periudhën 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2014, personat duhet të lidhin marrëveshje me institucionet shtetërore apo ndërmarrjet publike për pagesën me këste të kryegjësë së borxhit kryesor dhe kamatës të llogaritur për atë borxh për periudhën 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2014.

Pagesa e borxhit duhet të kryhet brenda afatit prej dy vitesh për personat juridikë, nga data e lidhjes së marrëveshjes; dhe brenda afatit prej tri vitesh nga personat fizikë, nga data e lidhjes së marrëveshjes.

Për informata më të hollësishme qytetarët mund të informohen tek zyrtarët përgjegjës të Drejtorisë për Buxhet dhe Financa në Komunën e Podujevës dhe në Ligjin për faljen e borxheve publike dhe Udhëzimin Administrativ të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të publikuara në ueb-faqen zyrtare të Komunës së Podujevës./Llapi.info