Në kuadër të realizimit të projekteve për ndërtimin dhe rregullimin e infrastrukturës rrugore, në Komunën Podujevës ka filluar ndërtimi i urës mbi lumin Llap, në rrugën që lidh fshatrat Peran dhe Letanc. Lajmin e ka bërë të ditur Zyra për Informim në Komunën e Podujevës.
Për të përcjellë nga afër punimet, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, i shoqëruar nga drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Faik Muçiqi, ka inspektuar punimet që janë duke u kryer në ndërtimin e kësaj ure, me ç’rast Veliu ka bërë të ditur se komuna këtë vit ka ndërtuar shtatë ura ashtu siç edhe ishte planifikuar me buxhetin për investimet kapitale.
“Ndërtimi i këtyre urave do të mundësojë qarkullim më të sigurt dhe më të lehtë për qytetarët tanë”, ka thënë Veliu.
Punimet në ndërtimin e kësaj ure është duke i kryer kompania “Konstruktori”.
Poashtu, Zyra për Informim në Komunën e Podujevës ka bërë të ditur se krahas urës në Peran në fazën e ndërtimit janë edhe dy ura tjera, njëra në Gllamnik dhe tjetra në fshatin Sibofc.
Derisa, këtë vit Komuna e Podujevës ka ndërtuar edhe një urë në qytet, dy në fshatin Zhiti dhe një urë në Repë./Llapi.info