Kryeparlamentari dhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, sot ka marrë pjesë në debat me strukturat e degës së PDK-së dhe qytetarët e Podujevës, raporton Llapi.info.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli i shoqëruar nga kryetari i degës së kësaj partie në këtë komunë Naim Fetahu, kanë folur para të pranishmëve për vizionin dhe rolin e PDK-së.

Pas procesit të brendshëm zgjedhor në këtë degë që fitues doli Naim Fetahu, që sot është shprehur i bindur se PDK-ja do ta thyejë bastionin e LDK-së në Podujevë në zgjedhjet e ardhshme.

“Partia Demokratike e Kosovës, dega në Podujevë, ka përfunduar me sukses procesin e brendshëm zgjedhor, në të cilën kanë marrë pjesë mijëra qytetarë anekënd Llapit. Prurjet e reja në parti janë garanci se PDK po shkon drejt rritjes, fitores në nivel Kosove dhe të Komunës sonë. Në procesin e PDK-së në Podujevë kanë marrë pjesë mbi 4 mijë anëtarë dhe kanë zgjedh 57 nëndegë me kryesi të tyre, ku edhe kemi mbajtur Kuvendin që u zgjodh edhe kryetari, ndërsa së shpejti do ta bëjmë edhe këshillin drejtues. Jam i sigurt se do ta realizojmë fitoren, PDK do të fitojë edhe në Komunën tonë në zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë Fetahu.

Për procesin e brendshëm zgjedhor, në një fjalim rasti kreu i PDK-së, Kadri Veseli ka thënë se PDK ka treguar se si mund të zhvillohet një proces zgjedhor. Veseli përpara llapjanëve ka shtuar se tani pas dy dekadave të lirisë së Kosovës, nuk guxohet të mendohet për dilema të shtetit.

“PDK ka treguar shembullin se si respektohet vota, demokracia dhe se si mund të zhvillohet koncepti i ri në një ambient konkurrues, që në pak vende ndodhin në Ballkanin Perëndimor, por edhe në Evropën Juglindore që të ketë këso mënyre të përzgjedhjeve. Ne duhet të punojmë shumë për Podujevën, por edhe për Kosovën se njerëzit presin shumë nga ne. T’iu ofrojmë mundësi edhe këtyre njerëzve që ta na zgjedhin dhe besojnë. Dy dekada pas lirisë nuk guxojmë me mendua që të ketë dilema mbi shtetin tonë”, ka thënë Veseli, raporton Llapi.info.

Duke folur për vizionin, rolin e PDK-së dhe Dekadës së Re, kryeparlamentari ka thënë se Kosovës po i bëhet padrejtësi duke mos u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Sipas tij, Kosova i takon BE-së.

“Rinia donë ma shumë dhe kanë të drejt. Duan më shumë punë, perspektivë dhe këtë do ta bëjmë me konceptin e Dekadës së Re. Kemi obligim t’iu japim mundësi qytetarëve të Podujevës dhe të Kosovës që edhe ata të jenë kontribut dhënës. Prioritet i yni mbetet anëtarësimi në BE, pavarësisht se po ndodhin padrejtësi ndaj Kosovës, por ne nuk duhet të ftohemi nga Bashkimi Evropian se ne i takojmë Evropës. Duhet të punojmë më shumë, që Kosovën duhet ta bëjmë një mundësi për të jetuar, e këtë ka mundësi ta bëjë PDK-ja. Ky është besimi që ne kërkojmë nga qytetarët e Podujevës që të jenë më të fuqishëm në konceptin e partisë tonë. PDK s’ka pasur mundësi që ta udhëheqë Podujevën asnjëherë deri më tani, por PDK-ja ka bërë Podujevën gjatë këtyre dekadave. Kështu nuk duhet të jetë në zgjedhjet tjera. Ky duhet të jetë ndryshimi që duhet të ndodh në Podujevë, se edhe me i bë bashkë partitë tjera se nuk mund të bëjnë më shumë se sa PDK-ja për Llapin”, ka deklaruar ai./Llapi.info