Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dega në Podujevë ka hapur sot fushatën zgjedhore për kryetar të komunës, raporton Llapi.info.

Në hapje të kësaj fushate, kandidati i kësaj partie, Naim Fetahu ka bërë premtime të shumta, derisa ka akuzuar pushtetin aktual për keqqeverisje.

“Këtë gjendje e ka sjellë LDK. Drejtorët e Agim e Veliut nuk mund të jenë më alternativa. Ka ardhur momenti që Podujeva të ndryshoj për të mirë. Podujeva meriton më mirë. Unë, me një qeverisje komunale e cila do të ketë gjysmën e drejtorive të udhëhequra nga gratë, do të punojmë pa ndalur për qytetin dhe qytetarët tanë. Do të mbështesim bizneset, bujqit. Do të rregullojmë infrastrukturën e rrënuar. Do të ndërtojmë shkolla dhe çerdhe të reja. Do t’ia kthejmë qytetit tonë lavdinë. Prandaj, me 15 mars votoni numrin 10, numrin e ndryshimit”, ka thënë Fetahu.

Fetahu tutje tha se do të bëjnë investime në bujqësi për ta zhvilluar këtë sektor në mënyrë që të ndalet ikja e të rinjve. Fetahu ka premtuar se gratë do të kenë mbështetje për bizneset e tyre, teksa ka shtuar se do t’i ketë 50 për qind gra në qeverisje.

“Do të mbështesim kategoritë e luftës që kanë qenë për 20 vjet të anashkaluara. Do ta kenë zyrën afër kuvendit komunal, afër meje”, ka deklaruar Fetahu. Fetahu ka premtuar ndihmë edhe për familjet e dëshmorëve.

Lideri PDK-së, Kadri Veseli, i ftoi qytetarët e Podujevës për ta përkrahur kandidatin e PDK-së, duke potencuar se vetëm kjo parti është adresa e duhur.

“Për 20 vjet, Podujeva ka mbetur një ndër komunat më të pazhvilluara. Nuk janë përkrahur fermerët. E keni kandidatin më të qëlluar të PDK-së që ka qenë drejtor i ATK-së, zv.ministër, këshilltar imi, bashkëluftëtar që i di brengat e juaja. Mos i votoni ata që e harruan Podujevën dhe mos u jepni votë atyre që mund t’ua shohim sherrin”, ka deklaruar ai./Llapi.info