Kafiteritë të hapura në afërsi të shkollave të mesme në Podujevë po vlerësohen si pengesë për zhvillimin e procesit sa më normal arsimor në këtë komunë.

Këto kafiteri vlerësohet se frekuentohen nga nxënësit edhe gjatë orarit të mësimit, duke i braktisur orët për të qëndruar në to. Në to konsumohet e shiten cigare, por jo rrallë shëndrrohen në hapësira zënkash mes nxënësve.

Komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, për lajmi.net ka thënë se është e nevojshme të vazhdojë plani operativ për sigurinë e nxënësve.

“Ka dy vite e gjysmë që veprojmë me një plan operativ për sigurinë e nxënësve, e kemi pauzuar për tre muaj, por kemi parë që është i domosdoshëm një plan i tillë”, ka thënë Ejupi.

Sipas tij problemi kryesor që paraqet për sigurinë e nxënësve janë kafiteritë afër shkollave, ku me kërkesën e policisë disa prej tyre janë mbyllur por që ka edhe një numër i tyre që ushtrojnë veprimtari biznesore.

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në këtë komunë, Nexhmi Rudari, tha se një vit më parë ka ndodhur një përleshje e nxënësve të shkollave fillore në një kafe internet. Nxënësit ishin ndarë në grupe për të luajtur “conter strike” dhe më pas janë përleshur mes vete.

“Ngjarja nuk ka ndodhur brenda shkollave, por sërish ata janë nxënës, dhe problemet e tilla nuk jemi të interesuar t’i bartim në shkolla”, ka thënë Rudari.

Ai ka shtuar se kanë vërejtur që edhe duhani po tentohet t’iu shitet nxënësve me copë dhe për këtë arsye ka kërkuar ndihmë edhe nga Drejtoria e Inspektoriatit.

“Ne shpesh në bashkëpunim me drejtorin e Ispektoriatit, kërkojmë nga ispektorët që të shohin gjendjen. Por kemi hasë në atë që këto biznese janë edhe tatimpaguese dhe nuk kemi ndonjë bazë ligjore që t’i mbyllim, me që me dokumentacione janë në rregull. Po të kishim bazën ligjore siç ka ndodhë me lojrat e fatit dhe bastoret ne do i mbyllnim”, ka theksuar Rudari.

Nga ana tjetër A.E, dhe A.B, nxënëse të gjimnazit “Aleksandër Xhuvani”, pohojnë se frekuentimin në kafiteri e bëjnë për shkak të pirjes së duhanit, dhe se shpesh atu edhe fillojnë problemet. “ Zakonisht e pijm duhanin në kafiteri dhe në banjo të shkollës. Ikim prej orëve të atyre profesorëve që janë më “liberal”, ose pas orarit të mësimit pimë në qytet krejt klasa bashkë”.

Ndërsa, pedagogia e këtij gjimnazi, Florie Shala, shprehet e pakënaqur me bashkëpunimin, prind –shkollë.

“Në momentin kur nxënësi e lëshon mësimin, ata që janë jo maturantë nën 18 vjeç atëherë duhet që prindi të ketë vëmendjen më të madhe për fëmijët, sepse ne u flasim i këshillojmë në shkollë por jo edhe në rrugë e përgjatë veprimeve të tyre jashtë shkolle”, ka thënë Shala.

Ajo po ashtu ka thënë se në rastin kur vërehet që duhani pihet në banjo, nxënësit thirren në cenim privatësie, dhe çdo tentim për parandalim pa prind paraqet problem në vete.

Drejtori i gjimnazit Aleksandër Xhuvani, Naim Salihu, tha se si zgjidhje do të ishte që të ekzistonte kafiteria në kuadër të byfeve nëpër shkolla.

”Një kafe e tillë do të ishte më ekonomike, e menaxhueshme për sigurinë e nxënësve, do të dihej çka konsumohet, e kjo do të ishte në shërbim të të gjithëve, dhe dalja jashtë shkolle më nuk do të kishte arësye të ndodhte”, ka theksuar Salihu. /lajmi.net