Kanë kaluar më shumë se dy orë prej kur ka nisur takimi mes Kreyministrit Kurti dhe Vuçiqit në Bruksel. Deri në këto qaste, ai akoma nuk ka përfunduar, raporton Gazeta Express.

Kryeministri Albin Kurti dhe Presidentit serb, Aleksandër Vuçiq n janë ritakuar në Bruksel, pas një ngërci tjetër në veriun e Kosovës, pas nisjes së zbatimit të vendimit për konvertimin e targave të lëshuara ilegalisht nga Serbia.

Para nisjes së takimit, nga Bashkimi Evropian kanë publikuar pamjet nga dhoma ku qëndrojnë si ndërmjetësues Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell dhe Përfaqësuesi i Posacëm për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajcak.

Para hyrjes në negociata, Kurti dhe Vuçiq patën takime të veçanta me përfaqësuesit evropianë.

Kurti pati një bisedë pakminutëshe me Borrellin, që u transmetua drejtpërdrejt, për t’u mbyllur dyert për media më pas.

Para takimeve, Kurti dukej i relaksuar dhe shkëmbeu disa shaka me përfaqësuesit evropianë.

Disponimi i Vuciqit, me aq sa shihej në pamjet e shkurta, ishte tjetër. Vuciq kreu takimin formal me fotografi, me përfaqësuesit e BE-së, pa shumë fjalë dhe me fytyrë, që dukej si e ngrysur.