Kirurgët janë duke paralajmëruar grevën nga dita e nesërme, pasi kërkesat e tyre për rritje pagash nuk u realizuan.
Kirurgët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës pritet që nesër të rikthehen në grevë. Gazeta Shneta ka mësuar nga këshilli grevist se nesër do të jetë një grevë një ditëshe, për të vazhduar në fund të muajit me grevë të përgjithshme.
Greva do të mbahet pas kalimit të afatit të 1 qershorit për rritje të pagave. Këtë afat kirurgët ia patën dhënë ministrit të Shëndetësisë Uran Ismaili dhe Qeverisë së Kosovës, në janar të këtij viti kur u mbajt greva e klinikave dhe reparteve të kirurgjisë në QKUK dhe spitale rajonale.
Nesër poashtu pritet që të ndërpritet i gjithë programi i operacionieve, fillimisht në Kirurgjinë Abdominale pastaj për të vazhduar në klinikat tjera të kirurgjisë. Mjekët përveç rritjes dhe kategorizimit të pagave, po kërkojnë poashtu edhe rritjen e kujdestarive.
Në anën tjetër Federata e Sindikatave të Shëndetësisë kanë deklaruar disa herë se janë duke punuar bashkë me Qeverinë për ndryshimin e Ligjit të Pagave. Sindikalistët poashtu kanë edhe një marrëveshje të nënshkruar me Koalicionin PAN, i cili udhëheq me qeverinë. Megjithatë, kjo marrëveshje nuk është respektuar dhe as nuk pritet të respektohet të paktën sivjet.
Këtë e ka deklaruar vet kryeministri Ramush Haradinaj gjatë një vizite në Ministrinë e Shëndetësisë. Haradinaj ka thënë se ngritja e pagave do të ndodh vitin e ardhshëm, ndërsa për sivjet “mbetet të shihet se çfarë mund të bëjnë”, kështu duke lënë të kuptohet se nuk do të ketë rritje të pagave. Por kjo mund ta thellojë krizën në shëndetësi ku punëtorët po kërkojnë ngritje pagash që gati 2 vite.