Shkumbin Sekiraqa, i akuzuari për plagosjen e Pajtim Gashit në mars të këtij viti, kishte qëndruar në arrati për tre muaj. Pas tre muajsh, ai ishte paraqitur në stacion policor, duke mohuar se ka qenë i përfshirë në këtë rast. Sekiraqa kishte pretenduar para policëve se Gashin e njihte vetëm nga mediat. Dhe se nga mediat kishte dëgjuar që ai kishte probleme me të.

Shkumbin Sekiraqa ishte vënë në kërkim nga Policia e Kosovës pasi që dyshohej për veprën penale ‘Vrasje në tentativë’. Më saktësisht, ai dyshohej për plagosjen e Pajtim Gashit pranë biznesit të tij. Insajderi kishte arritur t’i publikojë ekskluzivisht pamjet nga vendngjarja.

Pas tre muajsh në arrati, ai ishte paraqitur në stacionin policor në qendër të Prishtinës, ku kishte mohuar përfshirjen në plagosjen e ndodhur në rrugën “Bedri Shala” në mars të këtij viti. Insajderi merr vesh se kur është pyetur nga zyrtari policor nëse e njihte Pajtim Gashin, ai kishte thënë se për të kishte dëgjuar vetëm në media. Më pas kishte thënë se nga mediat ka dëgjuar se Gashi ka probleme me të.

Ai po ashtu është pyetur edhe për videot e publikuara në media nga vendngjarja, ku ka thënë se i ka parë por që ka mohuar të ketë gisht në këtë rast.

Sekiraqa është pyetur edhe për Robert Llumnicën, personin i cili mbeti i plagosur në sulmin me armë zjarri më një shtator të këtij viti në lagjen Aktash të Prishinës. Ka thënë se e ka komshi dhe e ka “një si je, çka po bën” me të.

“Nuk jam lajmëruar pasi qe kam mendu se policia po e kupton se pasi qe unë nuk kam te bej me rastin kurse ne ditën e par nuk kam paraqit për shkak se edhe vitin e kaluar si i mitur me kanë akuzuar për një rast ku kam qëndruar ne paraburgim dy muaj deri sa kam kuptuar se kam të bëj unë me rast dhe jam liruar nga gjykata si i pa fajshëm kurse ma vonë nuk jam paraqit se kam mëndu se u kuptua qe skam te bej me rast deri sa kam kontaktu me avokatin për çështje tjera dhe i njëjti me ka udhëzuar me shkua mu paraqit ne stacion policor për ta sqaruar pozitën time”, ka thënë ai, mëson Insajderi.

Më pas, ai ka mohuar se gjuajtja me armë zjarri pranë shtëpisë së tij në ditën kritike ka ndonjë lidhje me rastin e ndodhur në rrugën “Bedri Shala”.

Shkumbin Sekiraqa akuzohet nga Prokuroria e Prishtinës se më 04.03.2024 kishte tentuar ta privojë nga jeta Pajtim Gashin.

“Rreth orës 10:00 në rrugën “Bedri Shala” në Prishtinë deri sa ishte duke lëvizur me një veturë të tipit “Audi” pronë e të pandehurit tjetër M.Haliti, ishte takuar me personin NN i cili lëvizste me një pickap, i pandehuri Shkumbin Sekiraqa për arsye të panjohura me dashje me qëllim që të privoj nga jeta të dëmtuarin Pajtim Gashi pas bisedës me NN personin i drejtohet me fjalët “paja shoq a po më njeh mu” ku më pas e sulmojnë fizikisht”, përshkruhet në aktakuzë ngjarja e cila ndodhi më katër mars të këtij viti.

Aktakuza përshkruan edhe se Sekiraqa kishte nxjerrë armën e zjarrit, kishte shtënë në drejtim të Pajtim Gashit e më pas e kishte goditur në kokë me kondak të alltisë.

Sekiraqa gjendet në paraburgim për të njëjtën vepër penale.