Kamera e sigurisë në hyrje të objektit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare të Podujevës, ka kohë që qëndron mbrapsht.
Në këtë gjendje siç është ajo, nuk mund t’i regjistrojë hyrjet e daljet e stafit mjekësor aty, raporton KTV.
Pikërisht, kjo është arsyeja pse kamera qëndron kështu, thonë pacientët, por pa dashur të prononcohen.
Ata thonë se, si pasojë, ka mungesë doktorësh, pritje të gjata si dhe shërbime joadekuate.
Por, drejtuesit e këtij institucioni parësor shëndetësor i kanë mohuar akuzat.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, nuk ka pranuar të flasë për këtë çështje me arsyen se është jashtë qytetit, por vetëm ka thënë se në këtë qendër janë duke u bërë renovime.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Podujevës, Zaim Thaçi, ka thënë se kjo është përgjegjësi e drejtuesve të QKMF-së.