Hulumtimi i emisionit “Drejtësia në Kosovë” zbulon se produktet serbe edhe pas vendosjes së taksës 100 për qind, ato po vazhdojnë të futen në Kosovë në mënyrë ilegale.

Hulumtuesit e Drejtësia në Kosovë kanë testuar disa markete në zonë ku kanë blerë produkte të prodhuar në Serbi.

Të filmuar me kamera të fshehura shitësit kanë pranuar se produktet e bulmetit si jogurt e qumësht kanë hyrë në Kosovë para një jave.

Për ta dëshmuar se malli është ilegal hulumtuesit kanë blerë jogurt të prodhuar me datë 17 dhjetorë afër 20 ditë pasi qeveria e Kosovës ka futur në fuqi taksën 100%

Në dy javë rresht emisioni Drejtësia në Kosovë ka publikuar rezultatet e një hulumtimi gjashtë mujorë për lidhjet e policisë me kontrabandën në veri.

Hulumtuesit kanë filmuar shitës marketesh të cilët marrin para në emër të policisë. Për të dëshmuar rrjedhën e kontrabandës kamera të fshehta ishin vendosur në rrugët ilegale të zonës.

Brenda një nate kamerat kanë filmuar deri në 20 kamion duke u futur kontrabandë.

Pjesë e hulumtimit ishin edhe rrëfimet e dy kontrabandistëve serb të zonës. Ata kanë treguar për lidhjet e kontrabandës me policinë dhe informacione se pa u paguar deri në 200 euro për policinë kamionët nuk mund të kalojnë.

Hulumtimi ka zbardhur edhe detaje për kontrabandën e naftës dhe çmimet e saj të lira në Leposaviq nafta kushton 98 centë ndërsa në Zubin Potok 88 centë. Shitës në pikat karburanteve kanë rrëfyer se malli shitet lirë për shkak të mungesës së sundimit të ligjit.