Kamerat e sigurisë së shpejti do të vendosen edhe në qytetin e Podujevës, raporton Llapi.info

Vendosja e kamerave ka për qëllim ngritjen e sigurisë në Podujevë dhe parandalimin e aktiviteteve të ndryshme kriminale.

Zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Nazmi Elezi, ka thënë për Llapi.info se tashmë projekti i vendosjes së kamerave është në fazën finale.

“Projekti i vendosjes së kamerave në qytet është në fazën e realizimit. Komuna e Podujevës tashmë është duke përfunduar procedurat e tenderimit për përzgjedhjen e operatorit që do të bëjë furnizimin me kamera, të cilat do të vendosen në rrugët e qytetit”, ka thënë Elezi.

Sipas tij, ky projekt është dyvjeçar dhe realizohet në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

Inicimet për vendosjen e tyre nëpër mbledhje të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), e ka bërë edhe komandant i Stacionit Policor në Podujevë, Bekim Bislimi e që është përkrahur edhe nga i pari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu.

Veliu në mbledhjet e mbajtura ka shprehur gatishmërinë e tij të plotë për angazhim maksimal në këtë drejtim, duke e vlerësuar këtë projekt me rëndësi për qytetarët e Podujevës dhe si ndihmesë për institucionet e sigurisë./Llapi.info