Kandidatë në konkursin për mësimdhënës në Podujevë e kanë akuzuar pushtetin në këtë komunë se ka shkelur një udhëzim administrativ dhe Ligjin e punës. Sipas tyre, në këtë konkurs janë punësuar militantë partiakë që kishin shumë më pak kredi se të tjerët.
Edon Zeka ka thënë se ka konkurruar në këtë konkurs, i cili ishte shpallur në nëntor të vitit të kaluar për drejtimin edukatë fizike në shkollën fillore “Shaban Shala” në Podujevë. Ai ka theksuar se ishte i vemi kandidat që kishte më së shumti kredi, pasi pos që ka të përfunduar fakultetin katërvjeçar në Universitetin Publik të Prishtinës, e ka përfunduar edhe masterin dyvjeçar po ashtu në publik, që bashkërisht bëjnë 360 kredi. Ndërsa ka theksuar se është pranuar një militant partiak vetëm me bachelor, shkruan sot Koha Ditore.
“Në konkurs u shkelën Udhëzimi Administrativ dhe Ligji i punës për konkurse publike, se nuk është mbajtur testi me shkrim fare. E me ligj është obligim të mbahet testi me shkrim dhe kandidatët të cilët e kalojnë 50 për qind testin me shkrim, ftohen në intervistë me gojë. Këta na kanë ftuar direkt me gojë, edhe në fund e kanë përzgjedh dikë me bachelor me kriter shumë ma të ulët në baza partiake”, ka thënë ai.