Një 26-vjeçar nga Baballoqi i Deçanit vdiq të hënën në Prishtinë pasi nuk i mbijetoi plagëve të marra nga goditja që pësoi nga shtylla e një semafori.

Shtylla e cila ia mori jetën Shkumbin H. u godit paraprakisht nga një veturë që e shkaktoi aksidentin. Ngjarja tragjike ndodhi në rrugën “Agim Ramadani” para objektit të Ministrisë së Arsimit në Prishtinë.

Derisa vdekjen e 26-vjeçarit e konstatoi një ekip mjekësor në vendin e ngjarjes, shoferja e automjetit që e shkaktoi aksidentin u shoqërua në Stacionin Policor në Prishtinë. Me urdhër të prokurorit, e dyshuara është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ende nuk ka vendosur nëse do të paraqesë kërkesë për caktim të masës së paraburgimit ndaj shoferes së automjetit. Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj i tha Paparacit të martën se ende nuk ka informata nëse prokurori do të bëjë kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.