Kastriot Selmani pritet të transferohet te skuadra austriake FC Tirol Innsbruck, klub me të cilin do të nënshkruaj kontratë dy vjeçare, raporton ekskluzivisht Gazetasheshi.com.

Përfaqësuesit e futbollistit dhe Klubit Futbollistik “Llapi” tashmë kanë arritur marrëveshje me klubin që bën gara në kampionatin elitar të futbollit austriak për transferimin e 21 vjeçarit.

Anëtari i Kosovës U21 ishte njëri ndër emrat më të kërkuar gjatë afatit kalimtar të dimrit, ndërkohë pas shumë negociatave, ai tashmë ka arritur marrëveshje me klubin nga Tyroli.

Marrëveshja pritet që të zyrtarizohet shumë shpejtë, ndërkohë që detaje të kontratës nuk janë bërë ende të ditura, përveçse lojtari që do të ‘firmos’ marrëveshje dy vjeçare me klubin austriak.

Gjithashtu, Gazeta “Sheshi” mëson se Selmani do të jetë i huazuar te skuadra e Riga-s në Letoni për gjashtë muajt e ardhshëm, teksa nga vera do t’i bashkohet ekipit të Tirol Innsbruck.

Selmani ishte startues në 16 ndeshje të këtij edicioni me Llapin, teksa shënoi një gol dhe asistoi në tre të tjerë.