Zhytësi i njohur, Ismail Kasumi ka konfirmuar për Express se ka marrë ftesë nga Policia e Kosovës dhe kryetari i Komunës së Kaçanikut, për të marrë pjesë në kërkimet që po bëhen në lumin Lepenc, aty ku dyshohet se kanë rënë dy policët e Kosovës.
Kasumi në një bisedë për Express ka konfirmuar se do të marrë pjesë nesër në kërkimet në Lepenc.
“Nesër do të marrë pjesë në kërkime, pas ftesës që e mora nga Policia e Kosovës dhe kryetari i Komunës”, ka thënë Kasumi për Express.
Ismail Kasumi ishte dje në emisionin “Pressing”, ku tha se nuk e ka ftuar askush që të jetë pjesë e kërkimeve, edhe pse ky ka nxjerrë më shumë se 500 trupa gjatë karrierës 50 vjeçare.
Zhytësi i njohur ka nxjerrë nga ujërat e Kosovës rreth 550 trupa të kosovarëve, të cilët kanë vdekur në rrethana të ndryshme. Këtë punë, zhytësi nga fshati Grabanicë i komunës së Klinës, e kryen që nga viti 1972. Viktima e parë që kishte nxjerrë nga ujërat e liqenit të Badovcit kishte qenë Remzi Xhambazi. Pas atij momenti, Ismail Kasumi ka vazhduar me trajnime të rregullta në Kroaci rreth zhytjes.
Kasumi ka rrëfyet se ka pasur mjaft raste, sidomos rastet tragjike kur ne kërkonim trupin deri në 20 ditë.
“Pastaj, pas përfundimit të luftës në Kosovë, u ballafaqova me dyzet viktima që i hodhi okupatori serb. Në fshatin Mleqan nxora trupin e pajetë të Sherif Kryeziut, vazhdova në Kuçicë, pastaj në Çubrel (komuna e Skenderajt), nxora vëlla e motër, e shumë e shumë raste të tjera”, ka rrëfyer për jetën e tij Kasumi.
Malsor Dashi e Armend Trena, mbrëmjen e të shtunës në krye të detyrës u zhdukën në mënyrë enigmatike, shkruan Gazeta Express.
Sot është dita e katërt që po vazhdojnë të kërkohen trupat e policëve të cilët ditën e shtunë u aksidentuan afër Lepencit në Kaçanik në rrethana ende të paqarta.