Llapi.info javë më pare kishte raportuar se tash e disa muaj në disa fshatëra të Podujevës ishin vendosur shtyllat e betonit të përçuesve elektrik, por ato ende nuk ishin funksionalizuar, ndërsa përçuesit elektrik ishin të vendosur në shtylla nga druri, ku banorët ishin ankuar duke thënë se këto shtylla tashmë janë të vjetëruara dhe në ditët me reshje të dëndura të shiut rrezikojnë jetën e qytetarëve.

Shtylla-elektrike

Por KEDS tash e disa ditë ka filluar punën për bartjen e këtyre përquesve elektrik në shtyllat elektrike nga betoni. Në komunikatën e dërguar nga KEDS, thuhet se përfitues direkt janë mbi 2.300 familje e biznese apo afro 10 mijë qytetarë raporton Llapi.info

KEDS në komunikatë ka shkruar:

Podujeva është shndërruar në kantier punimesh këto ditë nga KEDS-i. Janë 13 projekte në implementim e sipër dhe gjashtë të tjera që do të nisin së shpejti. Përfitues direkt janë mbi 2,300 familje e biznese apo afro 10 mijë qytetarë.

Halit Kodraliu nga Podujeva, edhe pse në moshë të shtyrë, kishte dalë këto ditë të nxehta gushti në lagjen e tij, te Tabetët, për të parë investimet që po bën KEDS-i. “Po më pëlqejnë shtyllat e reja fort. Po bëhet një punë e paqtë. Shtyllat e reja janë shumë më të forta”, thotë Kodraliu, bukur i entuziazmuar. Përpara lagjja e tij kishte probleme me rrjetin e stërvjetëruar, që ishte bartur në KEDS nga koha kur distribucioni ishte kompani publike.

Trafostacioni te Tabetët është vetëm një nga shumë lokalitete në Podujevë, ku KEDS-i është duke investuar për përmirësimin e rrjetit.

Tashmë fshatrat si Letanci, Bradashi e Dumnica janë të pajisura më rrjet e trafo të reja. Për 13 projekte brenda qytetit të Podujevës janë vendosur shtyllat, përderisa po vendosen edhe kabllot dhe njehsorët. Konsumatorëve u rritet kualiteti i shërbimeve dhe siguria, po në të njëjtën kohë zvogëlohen humbjet.

Përfitues direkt nga këto projekte janë mbi 2,300 konsumatorë- familje dhe biznese apo afro 10 mijë qytetarë.

Projektet e përfunduara apo ato në implementim nuk janë të vetmet që po bën KEDS në këtë komunë. Janë edhe 6 projekte tjera të parapara të implementohen sivjet për përforcim të rrjetit. Këto investime janë duke ia ndërruar pamjen rrjetit distributiv në Podujevë që ishte shumë i vjetër. Ato janë në kuadër të projekteve për vendbanimet me rënie të tensionit, të cilat KEDS i kishte identifikuar në mars të këtij viti dhe është zotuar t’i kryejë mbi 100 projekte anekënd Kosovës vetëm sivjet. Investimet nuk kanë të ndalur, përderisa vetëm brenda 5 muajve kanë përfunduar dhjetëra projekte ku përfitues janë dhjetëra mijë konsumatorë. Ata kanë shërbime më kualitative dhe më të sigurta. KEDS është i zotuar të vazhdojë me investime në mënyrë që konsumatorët të kenë shërbime sa më kualitative.