Po bëhen pothuajse një vit që kur shtylla elektrike kishte rënë mbi kulmin e shtëpisë së S. T. nga Podujeva, dhe KEDS ende nuk ka ndërmarrë asgjë, pavarësisht ankesave të shumta që kishte bërë ky konsumator, raporton Llapi.info

S. T., banor në rrugën “Llapi” në Podujevë është ankuar se KEDS-i nuk ia ka ndërruar shtyllën elektrike, e cila i ka rënë mbi kulm të shtëpisë që prej fillimit të këtij viti.

Ai thotë se vetë punëtorët e KEDS-it ia kanë shtrembëruar shtyllën duke punuar në një shtyllë tjetër aty afër (për shkak të tërheqjes së telave të rrymës). Ndërsa, edhe pse i kishte njoftuar punëtorët e KEDS-it për këtë dhe po ashtu ka dorëzuar ankesë me shkrim si në Podujevë ashtu edhe në Prishtinë (në muajin shkurt e mars), problemi nuk i është evituar asnjëherë.

S. T. tregon se pas thirrjeve të shumta që ka bërë në KEDS, në muajin shtator kanë dalë një ekip i punëtorëve të KEDS-it, të cilët e kanë konstatuar se aty shtylla ekzistuese duhet të zëvendësohet me të betonit. Megjithëse hapja e vrimës për shtyllë është punë e KEDS-it, punonjësit e këtij të fundit i kanë kërkuar këtij konsumatori që vetë ai ta bëjë këtë.

Duke mos dashur që të pësojë dikush nga telat e rënë mbi kulm, S.T. e ka hapur vrimën dhe e ka njoftuar KEDS-in në Podujevë dhe në Prishtinë për këtë. Kjo është verifikuar nga ekipi i KEDS-it që kanë dalë në vendngjarje. Por, pavarësisht kësaj, askush deri tash nuk ia ka ndërruar këtë shtyllë.

Llapi.info përmes e-mailit e ka kontaktuar zëdhënësin e KEDS-it, Viktor Buzhala, për ta pyetur rreth këtij problemi dhe papërgjegjshmërisë që ka treguar KEDS-i në këtë rast.

Buzhala në një përgjigje të shkurtë ka thënë se “KEDS do ta ndërrojë shtyllën tek ky konsumator në kohën më të shkurtër të mundshme”./Llapi.info