I posa zgjedhuri në postin e zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ramiz Kelmendi, sot ka vizituar komunën e Podujevës ku është takuar me kryetarin e kësaj Komune, Agim Veliun. Gjatë këtij takimi ata kanë biseduar për mundësitë  dhe vështirësitë e zhvillimit të bizneseve në këtë komunë, shkruan Llapi.info.

Sipas, Veliut, Komuna e Podujevës është e përgatitur për investime zhvillimore sepse i ka të hartuara të gjitha strategjitë për sa i takon zhvillimit ekonomik lokal. Ndërsa, si vështirësi për hapjen e bizneseve ai e sheh mungesën e hapësirave të nevojshme.

“Disa vështirësi që i kanë komunat për sa i takon hapjeve të bizneseve  është për shkak të mungesave të hapësirave të nevojshme që ju sigurisht e dini se sipërfaqet më të mëdha të komunave janë nën autoritetin e Agjencionit Kosovar të Privatizimit edhe të Agjencisë të Pyjeve të Kosovës”, tha Veliu duke shtuar se e informoi Kelmendin edhe për mundësitë, përparësitë që ofron kjo trevë për zhvillimin e bizneseve.

Ndërsa, zëvendëskryeministri Kelmendi, ka shprehur interesim për gjetjen e mundësisë së ndihmës së Qeverisë së Kosovës për planet hapësinore të komunës për investitorët.

“U informova nga kryetari për planet zhvillimore strategjike të Komunës, njëkohësisht shpreha interesim që çka Qeveria e Kosovës duhet bëjë për planet hapësinore të komunës në mënyrë investitorët e brendshëm sidomos investitorët e vegjël të kenë hapësira në kuadër të komunës për zhvillimin e veprimtarive të tyre”, u shpreh Kelmendi duke thënë se e kemi afër planin për pakon fiskale 2 të shohim çka na mundemi me bë për pakon fiskale 2 që t’i stimulojmë zhvillimin e bizneseve të vogla në komunën e Podujevës dhe në komuna tjera.

Më tutje Kelmendi tha se ka shumë ide për përshpejtimin e zhvillimit ekonomik duke përmendur edhe fondin e Qeverisë për garantimin e kredive për ekonomitë e vogla.

“Kam shumë  ide dhe të gjitha këto mu ka dhënë mundësia që t’i implementoj. Qeveria ka krijuar një fond për garantimin e kredive për ekonomitë e vogla, në këtë rast e informova kryetarin që munden afaristët që dëshirojnë t’i qasen këtij fondi të konkurrojnë në bankat e Republikës së Kosovës dhe ata të cilët projekti i tyre kalon dhe i plotëson kushtet për financim të gjejnë mbështetjen te fondi për garantimin e kredive në mënyrë të ta mbulojnë kolaterialin në mungesë që e kanë”, tha përveç tjerash Kelmendi.

Ndryshe, Komuna e Podujevës është komuna e parë të cilën Kelmendi e vizitoi në cilësinë e zëvendëskryeministrit./Llapi.info