Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi që në koordinim me Policinë e Kosovës të nis hetimet për keqpërdorimet rreth ndërtimit të Memorialit në Mejë të Gjakovës.
Vendimin Kryeministri Haradinaj e prezantoi edhe përmes një dokumenti të publikuar në llogarinë e tij në facebook, ndërsa ka potencuar se nuk do lejojë që keqpërdorimet të degradojnë pastërtinë e përpjekjeve për liri.
”Sot, ju kam drejtuar Kryeprokurorit të Shtetit Z. Aleksandër Lumezit që në mandatin e tij ligjor të fillojë menjëherë, në kordinim me Policinë e Kosovës, hetimin për keqpërdorimet të cilat janë shprehur si shqetësim nga banorët rreth ndërtimit të Memorialit në Mejë të Gjakovës.
Ne nuk do të lejojmë që keqpërdorimet e mundshme të degradojnë pastërtinë e përpjekjeve tona për çlirim dhe liri. Memorja jonë historike kombëtare është trashëgimi për brezat që vijnë. RH”