Gjuajtjet me armë zjarri janë bërë të shpeshta në vendin tonë, duke cenuar kështu sigurinë e qytetarëve të cilët ka rast kur mund t’u rrezikohet jeta si pasojë e plumbave qorr.
Disa të shtëna me armë janë dëgjuar mëngjesin e sotëm në rrugën ‘Llapi’ në Podujevë, çka alarmoi Policinë që të dalë në vendin e ngjarjes dhe të nis hetimet lidhur me rastin.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se në vendin e ngjarjes janë gjetur disa gëzhoja që dyshohet të jenë të armës që u përdor në rast.
Në kuadër të veprimeve hetimore janë marrë pamjet e kamerave të sigurisë që monitorojnë atë zonë dhe është arritur që të identifikohet vetura prej të cilës dyshohet se u shkrep arma.
Po ashtu është arritur që të identifikohen edhe të dyshuarit dhe si rrjedhojë Policia në koordinim me Prokurorinë kanë kryer bastisje në shtëpinë e njërit prej tyre dhe kanë gjetur e sekuestruar një armë me karikator dhe fishekë.
E, armën dyshohet se e shkrepi i mituri 17-vjeçar, i cili ishte pasagjer në veturën që po drejtohej nga i dyshuari i parë. Që të dy janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar nga organet e hetuesisë lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që dy të dyshuarit të hetohen në liri për veprat penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’ dhe ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.