Rastet e dhunës në familje sa vijnë e shtohen përditë në vendin tonë. Zakonisht janë gratë ato të cilat kërkojnë mbrojtje për shkak të dhunës që përjetojnë kryesisht nga bashkëshortët e tyre, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes. Një rast i tillë dyshohet të ketë ndodhur në Banjën e Pejës, ku një burrë e ka rrahur gruan e tij, derisa kishin qenë për qëndrim në këtë resort rehabilitues, raporton Gazeta Sinjali.
Çifti nga Ferizaj ka përfunduar dje në Polici, ku kanë rrëfyer detajet për rastin që kishte ndodhur, teksa të njëjtit kishin qenë në banjë. Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se gruaja është sulmuar nga bashkëshorti i saj 51-vjeçar për shkak të një zënke që kishin pasur paraprakisht.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari është kapur me gruan për shkak se e njëjta ishte vonuar 10 minuta pasi kishte kryer terapitë. Posa viktima ishte kthyer në dhomë, burri i saj e ka grushtuar, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Krejt çka kishte ndodhur është denoncuar pasi ata kanë përfunduar qëndrimin e tyre në këtë banjë, me ç’rast i dyshuari është intervistuar në cilësinë e personit të dyshuar.
Pas përfundimit të procedurave policore, i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe do të hetohet për veprën penale “Dhunë në familje”.