Për hapësirën përreth liqenit të Batllavës në Orllan të Podujevës është kërkuar kujdes i përhershëm në një tryezë që është organizuar sot nga Organizata Sundimi i Demokracisë në Kosovës (SDK). Në të njëjtin diskutim është kërkuar shfrytëzimi i mundësisë së kësaj pjese për turizëm, njofton Llapi.info.

Nëpërmjet një komunikate, kjo organizatë ka thënë se kjo tryezë me temën “Kujdesi institucional për mirëmbajtjen e hapësirave përreth Liqenit “Batllava” dhe mundësia e zgjerimit të zonave gjelbëruese”, është organizuar në kuadër të projektit “Aktivizimi qytetar dhe institucional në përmirësimin e gjendjes së mjedisit për ujë cilësor”.

“Meqenëse zonat përreth Liqenit karakterizohen me bukuritë natyrore, dhe në anën tjetër mungon kujdesi institucional për të krijuar mundësitë e turizmit, u organizua kjo tryezë me akterë relevantë, nga niveli qendror dhe ai lokal, me qëllim lehtësimin e koordinimit ndërinstitucional për gjetjen e një zgjidhje për mirëmbajtje permanente të hapësirave përreth liqenit dhe mundësinë e zgjerimit të zonave gjelbëruese në fshatin Orllan”, thuhet në komunikatën e SDK-së.

“Nga të pranishmit u diskutua mjaft shumë çështja e vendimit të qeverisë ku parashihet Liqeni i Batllaves si zonë e mbrojtur dhe në këtë kontekst pamundëson realizimin e projekt-ideve që zhvillojnë turizmin në këtë zonë. Nga përfaqësues të Institutit për Planifikim Hapësinor në kuadër të MMPH, u potencua që është iniciuar një projekt strategjik, që i jep mundësi zhvillimit të turizmit, konkretisht në zonën e Orllanit me iniciativë të OJQ SDK”, thuhet tutje.

Mirëpo, siç theksohet në komunikatë, ky projekt ende nuk është prezantuar në instanca më të larta, për faktin se do duhej të kalojë në disa filtra me qëllim që të jetë në harmoni me ligjet në fuqi.

“Nga gjithë akterët prezentë në tryezë u pajtuan se problem në ketë zonë vazhdon të mbetet mungesa e përkujdesjes institucional për mirëmbajtje të përhershme të hapësirave përreth liqenit. Andaj si propozim i përmbledhur ishte që niveli lokal, gjegjësisht komuna e Podujevës, duke qenë e përkrahur edhe nga shoqëria civile, do duhej të bëjë presion pozitiv ndaj nivelit qendror që zonat përreth liqenit Batllava të kenë kujdesin institucional në mirëmbajtjen e tyre dhe mundësinë e zhvillimit të turizmit”, vazhdon komunikata e Sundimit të Demokracisë në Kosovë.

Penalistë në këtë tryezë ishin Luan Nushi – drejtor në Institutin për Planifikim Hapësinor në MMPH; Faik Muçiqi – drejtor për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim në komunën e Podujevës; Mirsad Kamerolli – drejtor për Planifikim dhe Zhvillim Ekonomik në komunën e Podujevës; Nuredin Ibishi – ish deputet i Parlamentit të Kosovës; Xhevat Azemi – ekspert ligjor. Po ashtu, pjesëmarrës tjerë ishin edhe këshilltarë të Kuvendit Komunal të Podujevës, shoqëria civile në nivel lokal si dhe banorë të fshatit Orllan.

Sipas SDK-së, ky projekt mbështetet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe implementohet nga OJQ Sundimi i Demokracisë në Kosovë./Llapi.info

Image may contain: 1 person, sitting, table and indoor
Image may contain: one or more people, people sitting, table and indoor