Institucionet e drejtësisë të marrin seriozisht rastin e Donjeta Pajazitit dhe të gjitha rastet e dhunës në baza gjinore, tha Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës në protestën simbolike të mbajtur sot para Pallatit të Drejtësisë.

Berisha tha se kërkojnë që të rishikohen edhe një herë gjetjet nga Gjykata Themelore në Pejë, e cila shpalli të pafajshëm të dyshuarin kryesor për këtë rast.

“Jemi dalë në këtë protestë paqësore t’u bëjmë thirrje institucioneve të drejtësisë që ta marrin seriozisht rastin e të ndjerës Donjeta Pajaziti të rishikojnë edhe një herë të gjitha gjetjet nga Gjykata Themelore në Pejë, e cila e shpalli të pafajshëm të dyshuarin kryesor”, raporton EO.

Berisha bëri thirrje që nëse vërtetohet se i dyshuari aktual nuk është autori i vrasjes, atëherë të gjendet vrasësi i vërtetë e të dalë para drejtësisë.