Në rrugët kryesore të qytetit dhe në hyrje-daljet e Podujevës është kërkuar vendosja e kamerave, njofton Llapi.info. Këtë kërkesë e ka bërë Komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, Bekim Bislimi, në mbledhjen që ka mbajtur dje Këshilli Komunal për Siguri dhe Bashkësi (KKSB).

Vendosja e këtyre kamerave, sipas Bislimit, është projekt i një rëndësie të veçantë dhe në interes të ngritjes së sigurisë në aspektin e përgjithshëm.

Lidhur me këtë kërkesë, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka thënë se në të ardhmen do të marrin një vendim.

“Ideja për vendosjen e kamerave në rrugët e qytetit është një projekt që duhet ta analizojmë dhe diskutojmë dhe të marrim një vendim në të ardhmen”, ka thënë Veliu, përcjell Llapi.info.

Gjendja e sigurisë në Komunën e Podujevës për periudhën raportuese janar-maj nga kapiten Bekim Bislimi është vlerësuar e qetë dhe stabile./Llapi.info