Nën udhëheqjen e Kryetarit të Komunës së Podujevës, Agim Veliu, sot është mbajtur takimi i Këshillit të Drejtorëve në këtë komunë, ku u diskutua për procesin e planifikimit të buxhetit për vitin 2017 si dhe dinamikën e realizimit të projekteve për vitin 2016, njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info.

Në këtë takim, Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, informoi për procesin e planifikimit të buxhetit, për të cilin tha se është në fazën përfundimtare, dhe se kanë mbetur vetëm edhe disa çështje teknike siç është futja e të dhënave në sistem.

“Planifikimi i buxhetit është në fazën finale. Janë mbajtur të gjitha dëgjimet buxhetore dhe janë zhvilluar takime me secilën drejtori me qëllim që të dëgjohen të gjitha kërkesat dhe ato të inkorporohen në buxhetin e vitit6 2017”, tha Latifi.

Në takim u tha se projektet e planifikuara nga ekzekutivi komunal, për realizim gjatë vitit 2016 po zhvillohen në kuadër të planifikimeve të bëra.

Kryetari Veliu kërkoi nga drejtorët rritje të dinamikës në realizimin e projekteve të parapara, si dhe angazhim më të madh në përfundimin e projekteve, konform afateve të parapara, me theks të veçantë projektet infrastrukturore.

Këshilli i drejtorëve ka diskutuar gjithashtu edhe për fillimin e vitit të ri shkollor dhe përgatitjet që po bëhen për fillimin e mbarë të procesit mësimor./Llapi.info