Këshilltari në Kuvendin Komunal të Podujevës nga radhët e Organizatës së Ballit Kombëtar, Avni Islami, së fundi ka bërë koalicion me pushtetin atual qeverisës (LDK), edhe pse vetë ai kishte paralajmëruar padi ndaj këtij pushteti, shkruan Llapi.info
Islami kishte paralajmëruar padi ndaj Komunës së Podujevës për keqmenaxhimin e deponisë së mbeturinave në fshatin Dumnicë të Poshtme. Islami ka theksuar se nuk do të heqë dorë ndaj këtij problemi, që sipas tij, është duke shkaktuar terror ekologjik në atë pjesë, por që tani ka ndërruar destinacionin, duke bartur barrën tek Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Kjo, pasi që siç thotë ai inspektorët komunalë nuk mund të dalin nga kompetencat e tyre.
Për bashkëpunimin me pushtetin aktual qeverisës, Islami ka thënë se nuk është bërë për ndonjë pozitë.
“Një ndër seancat e para ngrita si shqetësim çështjen e deponisë në fshatin Dumnicë e Poshtme dhe pata paralajmëruar padi ndaj Komunës dhe Ministrisë përgjegjëse. Gjatë ditëve në vijim inspektorët komunalë të Podujevës mund t’ia vënë drynin asaj deponie, por për dy-tri ditë mund ta mbulojë bërlloku Komunën e Podujevës”, ka thënë Islami për Llapi.info.
Sipas tij, jeta e banorëve në atë pjesë është bërë e padurueshme si pasojë e deponisë së mbeturinave.
“Kjo çështje duhet të bartet te Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, që ajo të bëjë një zgjidhje për këtë. Tashmë, pasi që jam në koalicion qeverisës, do ta intensifikoj presionin në kuptimin pozitiv që kjo çështje të adresohet dhe t’i shkohet deri në fund, për shkak se e drejta është në anën e banorëve të cilët jeta e tyre është bërë e padurueshme si pasojë e asaj deponie”, është shprehur Islami.
Edhe pse është pyetur se nëse bashkëpunimi me LDK-në ka të bëjë me heqje dorë nga padia ndaj komunës, Islami thotë se qëllimi i tij si këshilltar komunal është bërë në kuptimin pozitiv, dhe se prioritet është dhe mbetet që gjërat të ndryshohen në të mirë.
“Vetëm kështu mund të jap kontributin tim, qoftë në aspektin profesional, por pse jo edhe në atë politik. Unë jam konsultuar me ligjet në fuqi dhe në atë kohë përgjegjësinë e kam ndarë në nivelin lokal dhe qendror. Niveli lokal i pranon përgjegjësitë e veta, por e ritheksojë se inspektorët komunalë kanë ndërhyrë në këtë çështje, por nuk mund t’i tejkalojnë kompetencat e veta”, ka thënë ai.
“Pa e shfajësuar Kuvendin Komunal të Podujevës, që gjithsesi është përgjegjës për ngritjen e asaj deponie, pa i plotësuar kushtet dhe standardet e nevojshme për të qenë funksionale, tash e tutje do të jem edhe më aktiv në zgjidhjen e këtij problemi. Përgjegjësit e asaj kompanie janë duke kryer terrorizëm ekologjik ndaj banorëve përreth, por edhe burimeve të ujit të pastër. Andaj, i bëj apel Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që të ndërmerr sa më parë masa, sepse së bashku me banorët do të ndërmarrim veprime radikale deri në zgjidhjen e këtij problemi”, ka theksuar ai.
Lajmin për koalicionin të LDK-së me OBKD e ka bërë të ditur i pari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu përmes një postimi në ‘Facebook’,
“Në cilësinë e kryetarit të Degës së LDK-së në Podujevë, me Ballin Kombëtar Demokrat në Podujevë, i përfaqësuar nga Avni Islami, nënshkruam marrëveshje bashkëpunimi programor në shërbim të qytetarëve të Komunës së Podujevës. Bashkëpunimi në mes dy subjekteve politike ka të bëjë me harmonizmin e pikave programore që kanë të bëjnë me fushat e zhvillimit ekonomik lokal, arsimin, shëndetësinë dhe mirëqenien sociale, bujqësinë e zhvillimin rural dhe mbrojtje të ambientit, por edhe në fusha të tjera me interes të përgjithshëm”, ka thënë Veliu.
Ndërsa, Islami thotë se të mos jenë marrë vesh për pozita dhe se ai të vazhdojë të qëndrojë në këtë pozitë.
Kujtojmë, këshilltari Islami në muajin prill të vitit 2018, pati paralajmëruar padi ndaj personave juridikë për mosmenaxhim të mirë të deponisë së mbeturinave në fshatin Dumnicë të Poshtme.
Islami kishte thënë se kjo deponi menaxhohet nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë sh. a (KMDK), është duke e shkatërruar florën dhe faunën në këtë fshat. Sipas tij, ankesat e banorëve deri më tani nuk janë marrë parasysh nga organet përgjegjëse./Llapi.info