Trajneri Tahir Batatina ka thënë se fitorja nga Llapit ka ardhur pas punës së madhe që është bërë në javën që lamë pas.
Ai ka thënë se e ka analizuar skuadrën e Ballkanit dhe e ka gjetur formulën për ta mposhtur.
“Të gjithë e dijnë se kush më ka motivuar për këtë fitore. Batatina nuk është trajner i provave. Jam trajner i dëshmuar. Djemtë bënë maksimumin dhe u angazhuan shumë. Kjo është fytyra e vërtetë e Llapit. Mendoj që ishte lojë e luftuar nga të dyja skuadrat. Ballkani ka cilësi brenda ekipit. Taktikisht, gjatë gjithë javës kam bërë analiza të thella. Bëra ndryshime sepse e kisha lojën nën kontroll. Përndryshe, rezultati do të ishte edhe më bindës. Mendoj që kjo është diçka e mirë për Superligën pasi u tregua se këtu ka kualitet. Mendoj që gjithë skuadra funksionoi në çdo repart. Mbuluam mirë kundërshtarin. Shënuam golat në mënyrën më të mirë të mundshme, ashtu edhe siç ishim përgatitur”, ka thënë Batatina.
Me këtë fitore, Llapi arrin në kuotën e 31 pikëve dhe pozicionohet në vendin e dytë, shtatë më pak se Ballkani që gjendet në pozitën e parë.
Në xhiron tjetër, Llapi i shkon Lirisë së Prizrenit, e në anën tjetër, Ballkani pret Prishtinën./Llapi.info